Lajme Arkiva 2003

Edhe një herë tjetër Edi Rama i ka kërkuar elektoratit demokrat që në 12 tetor të mos bashkohen me humbësit por të kontribuojnë me votën e tyre për një të ardhme më të mirë të qytetit.

Në mitingun elektoral që ka zhvilluar pasdite në njësinë bashkiake numër 10 Rama ka kërkuar jo vetëm votën për vete, por edhe votën për partinë socialistë në zgjedhjet lokalë të tetorit.

Edi Rama: Dëshiroj ti ftoj edhe një herë qytetarët demokrat të Tiranës, të bëhen pjesë e projektit tonë transformues. Të na japin të gjitha mundësitë dhe njëkohësisht të na falin zemrat e tyre duke qenë të bindur se ne jo vetëm nuk do të abuzojmë me atë shumicë të qëndrueshme që falë edhe mbështetjes së tyre do të krijojmë edhe në këshillin bashkiak, por do të jemi edhe më të përgjegjshëm se do të na duhet të mendojmë po njësojë dhe të dalim po njësojë për të dhënë llogari si përpara socialistëve ashtu edhe përpara demokratëve.

Ndërsa gjatë paradites ish basketbollisti i dinamos, kryetari aktual i Bashkisë së Tiranës ka zhvilluar një minindeshje basketbolli me nxënësit e shkollës së mesme “Qemal Stafa”.

Rama ka bashkëbiseduar me gjimnazistët dhe mësuesit e kësaj shkolle dhe u ka premtuar atyre një qendër të re sportive e cila do të ndërtohet sipas tij në tre vitet e ardhshme që ai do të drejtojë Bashkinë e Tiranës./tvklan.al