Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Rreth 9 mijë efektiva blu rrezikojnë të mos votojnë më 12 Tetor pasi do të jenë të angazhuar në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor. Kodi zgjedhor nuk parashikon votime pranë reparteve dhe komisariateve, ku kryhet shërbimi gjatë ditës së zgjedhjeve për pushtet lokal. Ndërsa ligji për policinë e shtetit, detyron forcat policore që ngarkohen me detyra gjatë zgjedhjeve të qarkullojnë brenda territorit zgjedhor vetëm në raste kur kërkohet ruajtja e qendrave të votimit, apo ndërhyrja e tyre nga KQZ.

Polici që do të shërbejë 12 orë në afërsi të qendrës së votimit, nuk do të ketë mundësi të votojë, në rast se kjo qendër nuk është në zonën e tij elektorale. Disa nga efektivët blu në shërbim dhe nëse shërbejnë pranë qendrës së tyre, do të duhet të shkojnë deri në komisariatin më të afërt për të lënë armën që më pas të hyjnë brenda qendrës së votimit.

Në këto kushte, rreth 9 mijë efektivë policie e kanë pothuajse të pamundur për të ushtruar të drejtën e tyre qytetare për të votuar. Drejtoria e informacionit dhe marrëdhënieve me publikun në ministri, ka shpërndarë sot për të gjitha komisionet zgjedhore, një listë të plotë me numrat e telefonait të autoriteteve policore në të gjithë vendin. Ky informacion është shpërndarë me qëllim krijimin e mundësive të komunikimit për çdo lloj ngjarje.

Objektet shtetërore janë vënë tashmë nën mbrojtjen e forcave komando. Të cilat do të bëjnë dhe transportimin e materialeve të votimit, nga KQZ drejt komisioneve lokale./tvklan.al

Gazetare – Aranita Brahaj