Egnatia do të përballet me Skënderbeun këtë të shtunë, në një sfidë ku rrogozhinasit synojnë të rikthehen te fitorja, pas humbjes me Partizanin.

Edhe në këtë takim, kampionët në fuqi do të jenë me tri mungesa, siç e zbuloi trajnerit Edlir Tetova në konferencën para ndeshjes.

Tetova deklaroi ndër të tjera, se sfida ndaj Skënderbeut do të jetë e vështirë, por edhe e bukur, pasi korçarët lejojnë të luhet futboll.

“Lamë pas një javë me shumë dëmtime. Është rikthyer Dylisse, por na mungon Ahmetaj në mesfushë dhe prapë jemi me 3 mungesa. Megjithatë lojtarët që kanë zënë vendet e tyre, janë të gatshëm dhe të bërë më të mirën.

Mendoj se kampionati i kaluar i përket së shkuarës. Na pret një ndeshje e vështirë, por edhe e bukur, sepse Skënderbeu është një skuadër që të lejon të luash futboll.

Ishte vetëm një ndeshje ndaj Partizanit, janë edhe tri të tjera për tu luajtur. Sigurisht e kemi analizuar ndeshjen për të nxjerrë gabimet, por siç e thashë, ndikuan mungesat.

Luhatjet janë normale, për shkak të organikës. Nga janari i vitit të kaluar, deri tani janë shumë ndryshime. Prurjet janë efektive, por mendoj se do të vijnë në formën që duhet, sepse kampionati është i gjatë.”, deklaroi Tetova.

Ndeshja mes Skënderbeut dhe Egnatias, është planifikuar të luhet të shtunën në Korçë, në orën 19:00. /tvklan.al