Kevin Teter, eksperti amerikan në fushën e ngjarjeve me aksidentet automobilistike dhe rindërtimin e skenave të aksidenteve, ka nisur ekspertimin e makinës me të cilën udhëtonte Kosta Trebicka ditën që u gjend i vdekur.

Shumë pikëpyetje të ngritura nga prokuroria shqiptare për shkaqet e vdekjes së të ndjerit Kosta Trebicka pritet të marrin përgjigjen e ekspertizës së këtij automjeti.

Kamera e TV Klan fiksoi ekspertin amerikan, i asistuar nga efektivë policie dhe prokurorë të rrethit, rreth orës 10 të paradites së sotme në fshatin Lekas në Korçë, pikërisht aty ku si sot një javë më parë u gjend i vdekur Kosta Trebicka pas një shëtitje për gjah në Voskopojë.

Përreth 20 minuta në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha matjet, fotot dhe filmimet e nevojshme, të cilat do të shërbejnë për të rindërtuar skenën e aksidentit me pamjet tredimensionale.

Grupi i punës e ka zhvendosur seancën e ekspertimit në oborrin e drejtorisë së qarkut Korçë, aty ku të mbrojtur nga një gardh policësh kanë kryer të qetë provën e frenave të makinës me të cilën ka udhëtuar gjatë ditës Kosta Trebicka.

Kamera jonë ka mundur të fiksojë larg gardhit të hekurt të policisë disa nga manovrat e ekspertëve për të mësuar diçka më shumë mbi shkaqet dhe për ta bërë sa më të kuptueshme se çfarë do të dalë pas kësaj ekspertize.

Kontrolli fizik ka zgjatur për më shumë se tre orë dhe makina e Kosta Trebickës është rikthyer sërish në garazhin e godinës së sigurt si një provë kyç.

Tashmë akt-ekspertimi i udhëhequr nga Kevin Teter do të zhvillohet në sallat laboratorike, ku nëpërmjet pamjeve tredimensionale do të shihen të gjitha mundësitë për të dalë më pas në një konkluzion nëse Kosta Trebicka ka qenë viktimë i një aksidenti me makinën e tij.

Ahmet Premçi: “Unë nuk mund të jap konkluzione hetimesh sot. Nuk jam unë njeriu i duhur që do të japë konkluzionet. Ne kemi krijuar të gjitha kushtet e ekspertëve më të mirë të përzgjedhur në fushat ku është kërkuar ekspertimi i kësaj ngjarje. Kini durim, shumë pak kohë këto konkluzione do të bëhen publike dhe do të finalizojë dhe mekanizmin e gjithë kësaj ngjarje. Padiskutim që ne kemi vënë në funksion të hetimit të kësaj çështje ekspertët më të mirë dhe angazhimin maksimal të tyre. Të jeni të sigurt që puna e tyre do të jetë absolutisht më e mira që mund të ketë ndodhur”./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani