Ambasada ruse tërheq trupat e pajetë, ndërkohë po bashkëpunojnë me hetuesit për të zbuluar të vërtetën 

Trupat e pajetë të 4 turistëve rusë që humbën jetën në mënyrë të mistershme në një hotel luksoz në Qerret të Kavajës, janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Viktimat janë dërguar për në vendlindje.  Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar publikisht për këtë çështje, duke theksuar se janë duke pritur rezultatet e hetimit. 

“Në mëngjesin e hershëm të 22 Tetorit trupat e pajetë të shtetasve rusë, të cilët humbën jetën në 15 Tetor në territorin e Republikës së Shqipërisë, u nisën në Rusi me një fluturim të rregullt. Sipas legjislacionit rus, mund të kryhet një ekspertizë mjeko-ligjore shtesë për të zbuluar shkaqet e vdekjes së tyre. Shpresojmë në marrjen sa më të shpejtë të përfundimeve zyrtare nga pala shqiptare, si edhe në bashkëpunimin e mëtejshëm të ngushtë të organeve ligjzbatuese ruse dhe shqiptare për sqarimin e rrethanave të tragjedisë”.

Ekspertiza mjekoligjore paraprake ka përcaktuar se shkak i vdekjes së 4 familjarëve është asfiksimi. Ndërkohë janë duke u kryer një sërë ekzaminimesh te tjera për të përcaktuar shkakun e vdekjes. Dyshimet janë që turistët humbën jetën si pasojë e asfiksimit nga klori i përdorur për të pastruar pishinën dimërore.

Organi i akuzës ka marrë edhe mostra të ujit të pishinës, ajrit, klorit dhe gazit dhe po kryhen një sërë testesh nga ISHP, që të përcaktohet shkaku i vërtetë i vdekjes së 4 turistëve.  Prokuroria e Kavajës e ka regjistruar vrasjen në rrethana të tjera cilësuese. Grupi hetimor po heton të gjitha pistat e mundshme për të zbardhur ngjarjen. 

Klan News