Personi që shihni në foto është Donald Hoxha, i ekstraduar nga Mbretëria e Bashkuar pasi akuzohet si një personat që morën pjesë në vrasjen e ish-agjentit të antidrogës, Roland Rexhepi, ngjarje e regjistruar në Elbasan në 2009.

Për 34-vjeçarin, gjykata e këtij qyteti kishte caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” më 21 Janar të këtij viti, vendim ky që vuri në lëvizje Interpol Tiranën, që e lokalizoi atë në Angli.

Sipas hetimeve të prokurorisë, Hoxha në bashkëpunim me persona të tjerë kanë vrarë efektivin e policisë, Rexhepi. Dy vite pas kësaj ngjarje ish-agjentit të antidrogës i ekzekutojnë dhe të vëllain, Ilir Rexhepin.

Mes dyshimeve për shkaqet e këtyre vrasjeve prokuroria administroi informacione se ekzekutimi kishte ndodhur pasi Roland Rexhepi kishte tentuar që të prishte vendngjarjen në vrasjen e Sokol Çapjes në 2005 dhe kishte ndihmuar autorët të largoheshin nga Elbasani.

Për vrasjen e Roland Rexhepit deri tani janë dënuar Marjus Tafa dhe Armando Llakaj. Lidhur me operacionin ekstradimit, reagoi dhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla i cili tha se Interpol Tirana po punon çdo ditë për lokalizimin e personave të përfshirë në ngjarje kriminale dhe i fshihen drejtësisë.

Tv Klan