Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Bashkëkryetari socialist në komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore Elmaz Sherifi, pranon dështimin e komisionit dypalësh.

Elmaz Sherifi: “Zoti Gjana dje deklaroi, që ne në qoftë se nuk fillojmë punën me Komisionin Qendror siç e kanë konceptin ata, të ndryshimit të tij, që është në kundërshtim me frymën e Kushtetutës, do të thotë që ata nuk janë të gatshëm të bashkëpunojnë. Institucionet janë ato që vendosin në demokraci dhe jo partitë. Partitë vullnetet e tyre i shprehin nëpërmjet deputetëve në parlament.”

Dy forcat kryesore politike humbën konsensusin për çështjen e KQZ, ku Partia Socialiste ndryshe nga ajo Demokratike nuk kërkon ndryshim të përbërjes aktuale, por vetëm ndryshim të procedurave të emërimit të anëtarëve të KQZ. Sipas PS, puna e komisionit mund të vijonte me problemin e listave të zgjedhësve ndërsa PD nuk pranon diskutimin e çështjeve të tjera pa mbyllur pikën 1 të protokollit, KQZ, sikundër tha një ditë më parë dhe ambasadori i OSBE-së.

Elmaz Sherifi: “Zoti Lipponen në thelb tha, që ne garantojmë standarde, por nuk mund të vëmë rregulla loje”.

Elmaz Sherifi tha, se me përfundimin e afatit të komisionit, deputetët socialistë do të çojnë në Kuvend projektligjin për regjistrimin e popullsisë, hartuar nga ekspertët e OSBE-së. Sipas tij, kjo do të zgjidhte problemin me listat e zgjedhësve./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj