Lajme Arkiva 2003

Vendimi i qeverisë greke për të lejuar hyrjen e emigrantëve shqiptarë në Greqi ka nisur fluksin e ardhjes së tyre në pikat e kalimit kufitar. Që nga momenti që fonogrami i Ministrisë së Brendshme Greke mbërriti në doganat greke, deri në orën 15 të ditës së sotme kanë kaluar traun e Kakavijës 3200 emigrantë dhe 530 makina.

Në pikën tjetër të kalimit kufitar, atë të Kapshticës, grekët kanë nisur avazet e vjetra të prishjes së kompjuterëve, korrespondenti ynë që ishte në orët e pasdites në këtë doganë njofton se më shumë se 200 shqiptarë janë bllokuar në pjesën shqiptarë të kufirit duke pritur në shi për të kaluar traun grek.

Autoritetet doganore greke ndërsa kanë lejuar futjen e mbi 600 emigrantëve shqiptarë kanë bllokuar që nga ora 10:00 të gjithë emigrantët që riktheheshin pranë vendeve të punës. Sipas korrespondentit tonë vetëm rreth 20 automjete duke përfituar nga kalimi i një diplomati të ambasadës sonë në Athinë kanë mundur të hyjnë në Greqi.

Lajmi për vendimin e qeverisë greke që lejonte qarkullimin normal të emigrantëve është shpërndarë nga mediat shqiptare pasi ato greke nuk e kanë publikuar fare urdhrin e Ministrisë së Brendshme greke.

Qe në orët e para të mëngjesit të sotëm është shtuar  numri i personelit dhe i sporteleve në të dyja pikat e kalimit kufitar të Kakavijës. Fluksi sa vjen e shtohet dhe shqiptarët edhe pse me gjak të ngrirë për dyshimin e rikthimit të tyre normal në Greqi guxojnë të votojnë pranë familjeve për të kaluar pushimet së bashku./tvklan.al