E pabesueshme ajo që ndodhi mbrëmjen e të shtunës në “Me shumë dashuri”. Një vajzë bashkohet me nënën dhe motrën e saj pas 15 vjetësh. Surpriza shpirtërore iu bë Klaudias, 18-vjeçares  nga Shkodra, e cila përpara dy javësh kishte ardhur në program për të kërkuar të ëmën me të cilën nuk kishte asnjë kontakt që kur ishte 3 vjeç.

“Është një moment i pa përshkueshëm, zemra më është çuar si një vullkan.”

Klaudia: “Ndihem shumë e lumtur, ky është realizimi i ëndrrës më të madhe të jetës time. Për këtë jam mirënjohëse stafit të Tv Klanit, zonjës Vera Grabocka, tani ju premtoj si unë, mami dhe motra ime s’do ndahemi kurrë do jemi të lumtura dhe së bashku për gjithnjë.

Mbrëmja e kaluar e “Më shumë dashuri” vërtetoi se në këtë program surprizat jo vetëm i bëjnë të lumtur personazhet, por ndikojnë në një ndryshim rrënjësor të jetëve të tyre. Djaloshi jetim 14-vjeçar, Ilia, jetonte i vetëm pa asnjë mbështetje financiare dhe shpirtërore në Korçë. Por falë punës “Më shumë dashuri” dhe dëshirës së mirë të drejtuesve të institutit arsimor “Wilson”, atij iu mundësua një bursë e plotë ku përfshihej fjetja dhe ushqimi për 6 vitet e ardhshme deri në përfundimin e shkollës së mesme në këtë institut prestigjioz.

Ilia: “Jam shumë i lumtur sepse kam një mundësi për të vazhduar shkollën dhe për të patur një vend ku të fle. Do mundohem të mësoj sa më shumë, të jap rezultate të shkëlqyera.”

Në këtë studio Marjeta erdhi t’i kërkonte  falje të vëllait dhe të bashkohej sërish me familjen e saj me të cilën nuk fliste prej 8 vjetësh. Ndërsa 14-vjeçarja Fjoralba nga Tirana, i kërkoi ndjesë publike të atit, për një gabim që kishte tronditur marrëdhënien e tyre.

Nën regjinë e Vera Grabockës, prezantimin e Alketa Vejsiut dhe Emiliano Lules si edhe skenarin e Dalina Buzit, “Më shumë dashuri” e mbrëmjes se të shtunës, vërtetoi edhe njëherë se falë dashurisë dhe dëshirës së mirë për të ndihmuar asgjë nuk është e pamundur./tvklan.al