Është shoqëruar me debate Komisioni Hetimor për Zgjedhjet e 25 Prillit. Kryetari i Komisionit Enkelejd Alibeaj, njoftoi Erion Veliajn dhe Dritan Lelin, se do të paditen për shpërdorim detyre, pasi kanë refuzuar të japin informacionin për punësimet dhe shpërblimin e tërmetit.

“Shkresat janë dërguar prej më shumë se 3 javë përpara. Detyrimi për përgjigje është sipas afateve që vendos komisioni. Ne duhet të reagojmë, pasi sa herë vërehet një indiferencë, në rastin më të mirë, nuk ka më justifikon ligjor. Është detyrim ligjor që të reagojmë ligjërisht ndaj këtij qëndrimi. Në përfundim të kësaj mbledhje do të depozitohet kallëzimi penal për shpërdorim detyre”, tha Alibeaj.

Po ashtu Alibeaj bëri me dije se plani i hetimit të komisionit deri më 10 dhjetor është shqyrtimi i dokumentacionit ndërsa deri më 24 Dhjetor do të ezaurohet thirrja e dëshmitarëve. Për këtë të fundit demokratët kërkojnë të thirren edhe kryeministri Edi Rama, ministrat Arben Ahmetaj, Bledi Çuçi, Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu, e deri tek ish-drejtori i Policisë, Ardi Veliu.

Nga ana tjetër, zv/kryetar i Komisionit Hetimor, Toni Gogu, kërkoi që të shtohet në listën e dëshmitarëve Gazment Bardhi, Xhelal Mziu dhe Albana Vokshi pasi sipas tij kanë dijeni për Strukturën e Mbrojtjes së Votës.

“Të shtojmë në listën e dëshmitarëve Sekretarin e Përgjithshëm Gazment Bardhi, Xhelal Mziu që ka një deklaratë publike që ka dijeni mbi SMV dhe zonjën Albana Vokshi që ka dijeni sipas deklaratave të saj për Strukturën e mbrojtjes së votës”, tha Gogu. 

Por kjo kërkesë e socialistit u kundërshtua nga deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri, i cili tha se kërkesa për të diskutuar strukturën e mbrojtjes së votës në PD është jashtë objektit pasi objekti është hetimi për sjelljen e strukturave shtetërore dhe të pushtetit vendor në periudhën e zgjedhjeve./tvklan.al