Ballafaqimi i qytetarëve serbë me rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës që ndalon përdorimin e dinarit serb vazhdon të mbetet brenga e emisarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar.

Pas një takimi 2 orësh që zhvilloi me kryeministrin Albin Kurti, Escobar tha se raportet e SHBA-së me Kosovën aktualisht përballen me sfida për shkak të sjelljes së qeverisë.

“Të jem i sinqertë, këto sfida janë për shkak të trajtimit tani që po i bëhet minoritetit serb. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, por mendoj se është një çështje urgjente humanitare të cilën duhet ta adresojmë menjëherë. Shpresoj që Qeveria të jetë me fleksibile gjate diskutimeve në dialogun e së martës”, tha Escobar.

Pavarësisht mosmarrëveshjeve që kanë patur kohet e fundit, kryeministri Kurti e cilësoi takimin të shkëlqyer.

“E falënderova për mbështetjen dhe theksova nevojën për t’i kërkuar llogari Serbisë për sulmin e Banjskës. Gjithashtu e informova atë për hapat që ka marrë qeveria jonë për të mbështetur tranzicionin e rregullatores së BQK-së dhe gatishmërinë tonë për t’i adresuar çështjet në vazhdim”, tha Kurti.

Escobar gjatë ditës ishte edhe në Manastirin e Deçanit dhe në Pejë ku dëgjoi rrëfimet e komunitetit serb.

“Jam i prekur nga rrëfimet e tyre se si vendimi i ka cenuar ata. Kryeministri e pranoi këtë dhe premtoi se do të shohë disa nga propozimet që ia kam bërë atij sot”, tha Escobar.

Në ditën e parë të vizitës në Prishtinë, Escobar zhvilloi një takim edhe me përfaqësuesit e opozitës.

Tv Klan