Shoqata e avokatëve, ajo e prokurorëve, noterë dhe përfaqësues të Këshillit të Lartë të Drejtësisë nënshkruan një rezolutë të përbashkët me anën e së cilës i kërkojnë kuvendit të marrë në konsideratë shqetësimet e tyre lidhur me shtatë projektligjet e sistemit të drejtësisë.

Apeli drejtuar qeverisë për tërheqjen e këtyre projektligjeve erdhi dhe nga drejtori i Euralius gjatë një takimi të zhvilluar nga Transparence International.

Ky i fundit iu referua deklaratës së një dite më parë të kreut të shtetit në Peshkopi për të ruajtur pavarësinë e institucionit të drejtësisë.

Roland Miklau: ”Kam dëgjuar që presidenti i republikës së Shqipërisë është shprehur dje se ligji nuk është një çështje e njëanshme. Unë mendoj se presidenti ka shumë të drejtë sepse ligjet dhe draftet ligjore në demokraci duhet të jenë çështje multilaterale dhe një proces multilateral”.

Të mbledhur në një seancë dëgjimore të organizuar nga Transparence International përfaqësues të avokatëve dhe prokurorëve u shprehën se dy projektligjet e asistuara nga Euralius, ai i administratës së gjyqësorit dhe prokurorisë rrënojë frymën e reformës në drejtësi.

Manjola Bejleri: “Vihet re një tendencë gjithnjë e në rritje e ekzekutivit për të ndërhyrë në punët e gjyqësorit. Kohët e fundit dhe nëpërmjet administratës gjyqësore duke e përdorur këtë të fundit në mënyrë antikushtetuese dhe të kundraligjshme në funksion të ekzekutivit”.

Shkëlqim Hajdari: “Në rastin kur prokurori i përgjithshëm është në konflikt interesi atëherë ai duhet të deklarojë me shkrim gjendjen në të cilën ndodhet dhe kaq duhet të mjaftojë. Raportimi në parlament i Ministrit të Drejtësisë për punën e prokurorisë sipas mendimit tonë është i panevojshëm pasi do të politizonte punën e prokurorisë.”

Virgjil Karaja: “Në ligjin e prokurorisë kemi dy herë emrin ministër. Në këto shtesa 19 nene i janë shtuar katër herë ministër”./tvklan.al