Trajneri Silvinjo zhvilloi në “Shtëpinë e Futbollit” seancën e parë stërvitore me kuqezinjtë. Futbollistët do të punojnë edhe në pasditen e së enjtes me trajnerin brazilian dhe stafin e tij, ndërsa po përgatiten për sfidat miqësore kundër Lihtenshtejnit më 3 qershor dhe me Azerbajxhanin 4 ditë më pas.

Të dyja takimet do të zhvillohen në Hungari. Kjo do të jetë përballja e katërt me Lihtenshtejnin për kuqezinjtë, të cilët i kanë fituar të trija takimet, ndërsa kanë shënuar 6 gola e nuk kanë pësuar asnjë.

Përgjatë këtyre ditëve, trajneri Silvinjo do të monitorojë gjendjen e lojtarëve kuqezi, për të shpallur më 7 qershor edhe listën zyrtare me 26 emra që do të marrin pjesë në Euro 2024. Në listën paraprake janë 27 futbollistë. Shqipëria do të luajë sfidën e parë të Euro 2024 kundër Italisë në “Iduna Park” të Dortmundit.

Kjo ndeshje, ashtu si edhe sfidat e tjera të turneut do të transmetohen ekskluzivisht në Televizionin Klan.

Klan News