Spanja përballë Francës, dy kombëtare specialiste të gjysmëfinaleve. Kësaj herë një hap larg lavdisë. Në 3 raste Spanja dhe Franca janë takuar në fazën me eliminim direkt dhe fituesi ka arritur të ngrejë trofeun, përfshi këtu edhe 1984, kur Franca fitoi kampionatin.

Kualifikimi për në gjysmëfinalet e Euro2024 ka ardhur me ndeshje të bukura për të dy skuadrat.

Spanja fitoi ndaj Gjermanisë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale për herë të 4 në 5 pjesëmarrjet e fundit.

Ndërsa francezët mundën Portugalinë me penallti. Është e rrallë që një skuadër të shkojë deri në gjysmëfinale pa shënuar asnjë gol me aksion.

Një përballje me cilësi të lartë do të jetë ajo e mbrëmjes së sotme. Por vetëm një prej tyre do të shkojë në finale dhe mbi të gjitha, cilësia në mesfushë do të nxjerrë skuadrën fituese.

3 mungesa ka Spanja, me Carvajal dhe Normand me kartonë, ndërsa Pedri i dëmtuar. Ndërsa Franca i ka të gjithë në dispozicion.

Do të jetë një sfidë mes trajnerëve për strategjinë e lojës që do të zgjedhin apo edhe përshtatjen e skuadrës gjatë lojës, ndërsa edhe vetë lojtarët do të jenë në garë se kush do ta çojë ekipin drejt fitores.

Pritet shumë nga të rinjtë e Spanjës që kanë emocionuar deri sot, ndërsa edhe më shumë nga ata të Francës të cilët ende nuk e kanë shfaqur më të mirën e tyre.

Sfida do të luhet në Mynih dhe do të transmetohet në orën 21:00, në Tv Klan.

Tv Klan