Harta e turistëve që zgjedhin për të vizituar Shqipërinë po zgjerohet dita-ditës vit pas viti dhe mbi të gjitha me vizitorë nga kontinente të ndryshme të botës.

Të radhës që kanë ardhur për tu njohur me bukuritë e vendit tonë janë një familje me 4 anëtarë nga Afrika e Jugut. Eksperiencën e udhëtimit të tyre në tokën e shqiponjave e ndau Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

“Ne jemi një familje nga Afrika e Jugut. Kishim dëgjuar për vendin tuaj por nuk e njihnim mirë. Historia na duket mjaft interesante dhe vendosëm që ishte një ide e mirë ta eksploronim si turistë në të gjitha format.”

Turistja nga Afrika e Jugut tregon edhe itinerarin e vizitave nga Veriu në Jug.

“Do të qëndrojmë këtu rreth 16 ditë. E nisëm nga Lëpusha, më pas shkuam në Vermosh, Theth, Berat, Krujë, Gjirokastër. Pamë Rivierën, lumin e Vjosës, kaluam më pas në Përmet, Ersekë, Korçë, ndërsa tani jemi në Pogradec. Pas Pogradecit do të shkojmë në Gramsh. Na pëlqejnë zonat e ndryshme dhe biodiversiteti i vendit.”

Ndërsa Kryefamiljari i kësaj familje tregon se përpos bukurive të vendit, njerëzit janë tepër miqësorë.

“Familjes time i pëlqen më shumë deti dhe plazhi, kurse unë personalisht preferoj më shumë malin. Kolonja për mua është në krye të listës, sepse më pëlqejnë shumë malet. Njerëzit këtu janë tepër miqësorë, shumë të hapur dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar.”

Një nga përshtypjet pozitive për turistët e huaj është edhe ushqimi.

“Nuk donim të linim asnjë gjë pa parë. Na pëlqeu shumë ushqimi, byreku është i preferuari im. Në veri na pëlqeu flija”.

Gjatë kësaj periudhe vendi ynë po vizitohet nga Veriu në Jug si për plazhet, bukuritë natyrore, historinë, kulturën, por edhe për sportet e aventurës.

Klan News