Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Nga nesër nis publikimi i listave të kreditorëve në firmat huamarrëse, Kamberi, VEFA e Gjallica. Këto janë tre kompanitë, të cilat nuk kanë shlyer debitorët nga shitja e aseteve. Kryetari i grupit mbikëqyrës Farudin Arapi thotë, se brenda këtij viti do të përfundojë procesi i kthimit të parave. Sipas tij, një qytetar për të tërhequr paratë e depozituara duhet të ketë:

Farudin Arapi: “Kopjen e kontratës origjinale, sepse një kopje të kontratës origjinale e kanë administratorët e pavarur, për të cilën kanë përcaktuar listën me numrin përkatës rendor, duhet të kenë marrë veç kopjes të kontratës origjinale një dokument që vërteton identitetin e tija, siç mund të jetë pasaporta, letërnjoftimi, ose certifikata përkatëse dhe së fundi kanë edhe mandatin e arkëtimit. Për rrethin e Tiranës po marr konkretisht janë 5583 kreditorë, me një vlerë financiare që duhet detyrimi të përfitojnë prej rreth 219 milion lekë të reja. Banka e Kursimeve në akt-marrëveshjen që kemi shkruar ka përcaktuar dhe pozicionet e renditjes alfabetike të emrave të njerëzve, për t’u paraqitur në sportelet, për të mos krijuar konfuzion, ku qytetarëve u janë afruar dy alternativa, një depozitë në llogari rrjedhëse e veçantë me emrin e qytetarit, që të përfitojë dhe madhësinë e interesave bankare, sipas kurseve që ka Banka e Kursimeve”.

Me shembull konkret, sipas përqindjes së përcaktuar me kthimin e parave, një kreditor i Tiranës ka depozituar 300 mijë lekë të reja në firmën Kamberi, nuk ka tërhequr asnjë, e sipas llogaritjeve me 10.2% të vlerës, të kthimit të parave ai do të marrë 30 mijë e 600 lekë.

Farudin Arapi: “Një vlerë financiare tjetër e dytë, presupozon, që më pas, mbas përfundimit të shtesave, ky është koeficent që rezulton vetëm nga shitja e aseteve, kanë mundësi, që kreditorët e skemave piramidale, të përfitojnë nëpërmjet rikthimit të këtyre vlerave”.

Në 24 firmat huamarrëse, numërohen depozitues 1 milion e 800 mijë kreditorë. Depozita të cilat kapin vlerën e 1 miliard e 260 milion dollarëve./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj