Fatmir Mediu: “Padurimi për të bërë gjykime dhe për të dhënë verdikte fajësie duke bërë dhe prokurorin dhe gjykatësin përpara se ta bëjnë këtë institucionet përkatëse bazuar në thashethemet e njerëzve që përpiqen të rrinë afër pozitës dhe opozitës, njerëz që kërkojnë të “kafshojnë” pushtetin për qëllimet e tyre tregon se një pjesë e politikës kërkon ta përdorë këtë çështje thjesht dhe vetëm për qëllime politike dhe njëkohësisht të vërë nën presion institucione të drejtësisë në lidhje me këtë ngjarje. Në këtë kontekst i gjithë debati që zhvillohet rreth imunitetit tim parlamentar është një lojë e pistë me qëllime të qarta politike. Heqja e imunitetit nuk shton asgjë të veçantë në hetim më shumë se ajo që unë i kam kërkuar dhe i jam vënë në dispozicion prokurorisë përveç përgjimeve të telefonave apo kontrolleve të cilat janë kufizime vetëm për mua dhe për asnjë tjetër që lidhet me personin tim. Nuk kam asnjë lidhje me Delijorgjin, as të drejtpërdrejtë e as të tërthortë, asnjë marrëdhënie me të, siç mund të kenë disa që paradite e shajnë dhe mbasdite i dërgojnë habere në qeli. Për mua procedurat e parlamentit në këtë situatë kanë pak rëndësi për të mos thënë aspak. Ju kërkoj ju dhe të gjithë kuvendit që sot ky parlament të votojë heqjen e imunitetit tim dhe prokuroria të ushtrojë detyrën e saj.”

Skënder Minxhozi: “ Një deputeti i kuvendit të Shqipërisë po kërkon këto ditë me ngulm që t’i hiqet imuniteti parlamentar. Kjo kërkesë e Fatmir Mediut, ish-Ministër i Mbrojtjes, nuk po merret parasysh. Ç’është më e keqja ajo ka rënë pre e një loje politike ku nga njëra anë debatohet sesa i panevojshëm është imuniteti i anëtarëve të kuvendit dhe nga ana tjetër sapo një kërkesë e drejtësisë paraqitet për heqjen e imunitetit fillohet të kërkohen detaje, rregullore, procedura. Një gjë e ngjashme po ndodh në mënyrë të çuditshme dhe me një deputet tjetër të Partisë Republikane, i cili ka pranuar publikisht se ka sulmuar fizikisht një person, por që kolegët e tij të partisë në kuvend po e mbrojnë dhe nuk po e heqin imunitetin. Rasti i Fatmir Mediut dhe i Hajrulla Paturrit është mjaft i veçantë. Është për të ardhur keq. Kuvendi i Shqipërisë duhet t’ua ruajë këtyre dy deputetëve dinjitetin njerëzor dhe atë politik. Kuvendi i Shqipërisë duhet njëkohësisht të ruajë dhe dinjitetin e tij pasi me temën e imuniteteve ai po humb shumë në sytë e opinionit publik. Ngjarja e Gërdecit, shpërthimi i 15 Marsit ka shkundur dritaret e të gjitha partive politike dhe të institucioneve në Tiranë. A është e nevojshme në këto kushte që të kërkohen procedurat e rregullores në mënyrë që drejtësia të mund të hetojë për këtë ngjarje? A është e nevojshme që të ketë debate të tilla kur bëhet fjalë për ngjarje kaq të mëdha? Nuk është, ndoshta një përgjigje për këto dy pyetje nuk është e nevojshme në këtë rast”./tvklan.al