Fatmir Mediu: “Padurimi për të bërë gjykime dhe për të dhënë verdikte fajësie duke bërë dhe prokurorin dhe gjykatësin përpara se ta bëjnë këtë institucionet përkatëse bazuar në thashethemet e njerëzve që përpiqen të rrinë afër pozitës dhe opozitës, njerëz që kërkojnë të “kafshojnë” pushtetin për qëllimet e tyre tregon se një pjesë e politikës kërkon ta përdorë këtë çështje thjesht dhe vetëm për qëllime politike dhe njëkohësisht të vërë nën presion institucione të drejtësisë në lidhje me këtë ngjarje. Në këtë kontekst i gjithë debati që zhvillohet rreth imunitetit tim parlamentar është një lojë e pistë me qëllime të qarta politike. Heqja e imunitetit nuk shton asgjë të veçantë në hetim më shumë se ajo që unë i kam kërkuar dhe i jam vënë në dispozicion prokurorisë përveç përgjimeve të telefonave apo kontrolleve të cilat janë kufizime vetëm për mua dhe për asnjë tjetër që lidhet me personin tim. Nuk kam asnjë lidhje me Delijorgjin, as të drejtpërdrejtë e as të tërthortë, asnjë marrëdhënie me të, siç mund të kenë disa që paradite e shajnë dhe mbasdite i dërgojnë habere në qeli. Për mua procedurat e parlamentit në këtë situatë kanë pak rëndësi për të mos thënë aspak. Ju kërkoj ju dhe të gjithë kuvendit që sot ky parlament të votojë heqjen e imunitetit tim dhe prokuroria të ushtrojë detyrën e saj”. /tvklan.al