Lajme Arkiva 2003

Takimin elektoral të radhës kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu e ka zhvilluar në Bashkinë e Fushë-Arrëzit. Kreyrepublikani Mediu i ka bërë thirrje elektoratit të kësaj zone veriore të votojnë për kandidatin e përbashkët të republikanëve pasi në këtë mënyrë ata votojnë për kthimin e pronave të tyre.

Fatmir Mediu: Ju ftoj juve në emër të ardhmes të Shqipërisë të bëhemi të gjithë së bashku, republikanë demokrat, ballistë, legalistë, demokristianë, reformatorë, kushdo që është i aftë vetëm e vetëm për të ndryshuar të gjithë Shqipërinë, vetëm e vetëm për të hapur rrugën e shpresës.

Kandidati i Partisë Demokrate të Re për kryetar bashkie në Tiranë Kreshnik Çollaku ka zhvilluar një vizitë gjatë paradites në minibashkinë numër 8. Çollaku dhe kandidati i PDR-së për këtë bashki Fatos Haxhiaj janë takuar me tregtarët e tregut të shumicës pranë farmacisë numër 10.

Çollaku u ka thënë tregtarëve se është një fatkeqësi që ata janë të detyruar të ushtrojnë aktivitetin e tyre në këto kushte, në një kohë që janë gjithashtu të detyruar tu paguajnë gjoba nën dorë funksionarëve të policisë bashkiake. Çollaku u ka premtuar se nën qeverisjen e demokratëve të rinj do të ketë një sistem të diferencua të pagesës së taksave.

Marash Vata është kandidati i demokristianëve në komunën e Fushë-Kuqes në rrethin e Laçit. Kryetari i PDK-së Nikollë Lesi ka deklaruar gjatë prezantimit të Vatës se ata do të fitojnë në këtë komunë duke sfiduar rivalët e Partisë Socialiste dhe ata të Partisë Demokratike mbi 80% të votave.

Nikolle Lesi: Ne si Parti Demokristiane jemi kundër politikës së dy partive të mëdha  për ndarjen e Shqipërisë në bastione politike./tvklan.al