Lajme Arkiva 2003

Kryeministri Fatos Nano ka kërkuar në mbledhjen e Këshillit të Rregullim Territorit të Shqipërisë zbatimin e ligjit për dhënien e lejeve të ndërtimit, respektimin e kondicioneve urbanistike dhe teknike të projekteve.

Në mbledhjen e mbajtur në Durrës kryeministri ju drejtua anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Shqipërisë se është e pafalshme se organet e pushtetit vendor të ngadalësojnë procesin.

Fatos Nano: Në radhë të parë vërehet përsëritja e një procesi që tashmë për fat të keq po bëhet kronik. Sa herë që vendi i afrohet fushatave zgjedhore veç të tjerash kjo reflektohet edhe në veprimtarinë e Këshillave të Territorit të njësive të qeverisjes vendore. Vihet re hapja e thesit të madh të lejeve të ndërtimit për të mbushur thasët e vegjël të vendimmarrësve bashkiak. Kërkesa për zbatimin e ligjshmërisë nuk kursen askënd i majtë apo i djathtë qoftë. Askush nuk kursehet nga kërkesa ime në cilësinë e kryetarit të këtij këshilli për të rritur përgjegjësinë institucionale administrative, por edhe morale dhe publike pavarësisht se cilit krah publik i përket apo e ka zgjidhur për të qeverisur komunitetin. Nuk ka asnjë ligj që pengon një kryetar bashkie që të mbledhë KRT-në qoftë edhe ditën e fundit të mandatit të tij, por ka një moral të funksionarit publik që duhet ta pengojë atë për të lënë ferra nëpër këmbë pasardhësve apo brezave.

Duke u ndalur në një problem tjetër kryeministri tha se miratimi i studimeve për qendrat e qyteteve është një proces që ka mbetur në mes nga bashkitë të cilat jo vetëm e kanë ngadalësuar këtë proces, por edhe e kanë sabotuar atë duke bllokuar mbarëvajtjen urbane të qyteteve të tyre. Në lidhje me këtë, Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, vendosi të pezullojë dy leje ndërtimi të Bashkisë së Tiranës, të cilat shkelin hapur zhvillimet që lejojnë zhvillimet urbanistike në këto zona./tvklan.al