Lajme Arkiva 2004

Bashkëpunim më të ngushtë në fushën e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Këtë siguruan sot në  Podgoricë tre kryeministrat e Malit të Zit, Shqipërisë dhe i Maqedonisë.

Ata sugjeruan vendosjen e një trupi të përbashkët koordinimi të ministrave të brendshëm të tre vendeve.

Ky trup duhet të merret me shkëmbimin e informacionit në fushën e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit si edhe me kontrollin e kufijve.

Duke u ndalur në tragjedinë që përjetoi Shqipëria pak ditë më parë në Adriatik, kryeministri Nano u shpreh se ngjarja tregon se lufta me krimin e organizuar nuk është një dramë me një akt, por një sipërmarrje e vështirë dhe e gjatë që kërkon ndër të tjera një kuadër të plotë ligjor, mjete të sofistikuara si edhe bashkëveprimin me fqinjët dhe partnerët tanë.

Në takimin trepalësh u vu theksi mbi rëndësinë e projekteve rajonale në fushën  e infrastrukturës, energjetikës, turizmit, telekomunikacionit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Duke u ndalur në fushat më të rëndësishme të bashkëpunimit, zoti Nano ka propozuar vendosjen e linjave ajrore, Tiranë-Shkup dhe Tiranë- Podgoricë, gjithashtu, kryeministri siguroi se janë gati fondet për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë Elbasan- Podgoricë.

Ai i propozoi homologëve Crvenkovski  dhe Dukanovic, që takimi i ardhshëm trepalësh të zhvillohet në Shqipëri në 2005-ën. Të tre kryeministrat shprehën angazhimin dhe dedikimin e tyre për ndërtimin dhe forcimin e sigurisë të stabilitetit dhe prosperitetit në rajon dhe në Evropën Juglindore./tvklan.al