Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Fehmi Abdiu, aktualisht anëtar i saj, nuk e kundërshton ekzistencën e një bisede ndërmjet tij dhe kryeministrit Fatos Nano në Rogner, në vitin 1997. Sipas Abdiut, mënyra se si është zbardhur dialogu nga deputeti Nikollë Lesi, nuk është i saktë, pasi nuk është folur për trafik armësh.

Fehmi Abdiu: “Nga ajo e ashtuquajtur bisedë, flitet sikur unë në atë kohë, kam pasur mosmarrëveshje dhe probleme me mjaft personalitete të kohës, në mënyrë të veçantë të majta, gjë që botërisht dihej, që nuk ishte absolutisht e vërtetë. Në atë kohë marrëdhëniet e mija më të gjithë ata persona që përmenden në të, kanë shumë miqësore, shumë zyrtare dhe shumë dashamirëse. Bëhet fjalë në të, për një sebep për pagesë kafesh, kjo fjali që lidhet me sebepin, më ka kujtuar dhe më kujton, për këtë jam i sigurt, shumë i sigurt, një ngjarje, një takim, të tre vjetëve më vonë, d.m.th. para tre vjetësh, me zotin Nano po në Rogner, po në atë mjedis atje, ku në fund, pas një takimi shumë miqësor, kanë qenë dhe dy anëtarë të Gjykatës së Lartë, janë këmbyer fjalë për pagesën, e kam insistuar që të paguaj unë meqenëse në prag të Vitit të Ri, ishte fundviti, në atë kohë kisha ditëlindjen. Pra shumë gjëra që jepen në këtë të ashtuquajturën takim apo bisedë, kam përshtypjen se janë sajuar, janë grumbulluar, janë sistemuar me interesa të caktuara, sepse edhe një fakt tjetër është shumë interesant, enkas në mënyrë të veçantë, në mënyrë të dukshme shumë është mbajtur një linjë për të ashtuquajtura fjalë të mijat, ku në përgjithësi të jepej përshtypje se kanë qenë korrekte me fjalën dhe një linjë tjetër që dëshmon, për një të folur jashtëzakonisht të çuditshëm, të ish-kryeministrit dhe kryeministrit aktual të Shqipërisë. Bëhet fjalë për, indirekt, po dhe direkt, nënkuptohet për trafik armës, bisedë e cila kurrë nuk është bërë as me të dhe as me ndonjë personalitet tjetër në Shqipëri dhe jashtë saj.”

Gjithashtu Abdiu shprehet, se Thimio Kondi ndryshe nga sa pretendohet në dokument, në atë kohë nuk ka qenë kryetar i Gjykatës së Lartë, por ministër drejtësie. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që në forumet e Partisë Socialistë të ishte rënë dakord paraprakisht që Kondi të zgjidhej kryetar i Gjykatës së Lartë. Ndaj bashkëbiseduesit i drejtohen me emrin kryetar.

Fehmi Abdiu: “Bëhet fjalë, të jep përshtypjen sikur gjoja zoti Kondi në atë kohë ishte kryetar i Gjykatës së Lartë, në fakt nuk është ashtu, ai ka qenë mos gabofsha ministër i drejtësisë.”

Përsa i takon pjesës së diskutimit për shfuqizimin e disa neneve të kodit të procedurës penale, Abdiu thotë, se janë lënë fuqi të gjitha dispozitat e kodit, por janë bërë vetëm disa shtesa e formulime.

Fehmi Abdiu: “Asnjë ndryshim nuk ka sjellë ky ligj në kodin penal të vitit 1995 në thelb, por vetëm ka plotësuar disa dispozita që kishte nxjerrë koha. Ligji s’ka pas të bëjë në mënyrë absolute në zbutje, në heqje nenesh, në heqje veprash, me trafik, me shejtan, me të gjitha, pasi të gjitha veprat penale siç kanë qenë më përpara kanë mbetur dhe sot e kësaj dite me ato ndëshkime që ka pas ’95.”

Në fakt neni 284 i janë shtuar dy dispozita, (a dhe b), të cilat zbusin ose eliminojnë dënimin për personat që mendohet se bashkëpunojnë me organet e drejtësisë. Gjatë prononcimit për shtyp, Abdiu nuk pranoi pyetje nga gazetarët./tvklan.al