Është pritur me aktivitete të ndryshme dita ndërkombëtare e gruas në vendin tonë. Në fokus të tyre ishte vlera e gruas në shoqëri dhe thirrjet për më shumë të drejta për to. Kështu, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, hapi dyert e Kryesisë për të gjitha gratë dhe vizita më e veçantë ishte ajo e një delegacioni nga Kosova. Kryeparlamentarja theksoi se kjo ditë i kushtohet sakrificave të grave shqiptare.

Jozefina Topalli: “Unë në mënyrë të veçantë dua ta shoh këtë 8 mars në perspektivë e asaj që ka arrit gruaja shqiptare të emancipimit të fortë të saj, të shkollimit të jashtëzakonshëm, të kurajos me të cilën ajo qan në jetën e përditshme, përballet me vështirësitë e jetës dhe si simbolike e veçantë e kësaj dite është parlamenti me dyert e saj të hapura për t’i dhanë një mesazh që ky duhet të jetë vendi që shoqëria të jetë e përfaqësuar ashti siç ajo në fakt është e përbërë”.

“Një lule për një nënë” quhej aktiviteti i organizuar nga Njësia Bashkiake Nr. 10, aktivet i cili kryetari i saj Gerti Bogdani,  e ka nisur vitin e shkuar duke e kthyer tashmë në traditë.

Gert Bogdani: “Atëherë njësia 10 ju uron të gjithë nënave dhe grave këtë ditë të gëzueshme. Gëzuar festën! Kshu që sot është dita e tyre dhe neve po mundohemi që në ditën e tyre të sjellim pak gëzim duke vazhduar traditën që filluam vjet si njësia 10, duke i dhuruar çdo nëne dhe çdo gruaje që kalon në njësinë 10, një tufë lule”.

8 Marsi është festuar edhe nga gratë e burgut “Ali Demi”. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve u ka sjellë atyre fëmijët për t’i takuar, ndërsa aktorja Tinka Kurti ka interpretuar poezi.

Një tjetër aktivitet i organizuar me rastin e 8 marsit ishte dhe ai kushtuar punësimit të grave dhe vlerës së punës së tyre në shoqëri, nga Organizata për Informim dhe Barazi Gjinore./tvklan.al

Operator Izdor Rudho