Mijëra qytetarë kanë mbushur gjatë paradites rrugët e qytetit të Elbasanit. Të ardhur nga shumë rrethe të vendit ata kanë uruar njëri-tjetrin me rastin e ditës së Verës. Festimet filluan që në orët e para të mëngjesit, me parada, lojëra popullore, muzikë dhe aktivitete të ndryshme.

Qytetarja 1: “Nga Shëngjergji i Korçës erdhëm sot në Elbasan për të parë festën e ditës së Verës. Na pëlqeu shumë dhe jemi shumë të kënaqur, iu uroj shëndet të gjithëve dhe të gjithë të jenë të lumtur  dhe të kenë një verë të gëzuar.”

Qytetarja 2: “Kam gati një javë që kam filluar të përgatis ballokumet e ditës së Verës si për vete edhe për fëmijët e mi, për nipër dhe për mbesa që të kënaqen për ditën e verës.”

Qytetari 1: “Shumë mirë , shumë mirë, festa e lules, shumë mirë. Gëzuar ditën e Verës.”

Ata që i janë gëzuar më shumë festës kanë qenë fëmijët të cilët me veshje dhe maska janë bërë pjesë e karnavaleve.

“Pamë karnavale, karnavalet ishin shumë të bukura. Mami më bleu shumë dhurata për ditën e Verës, më pëlqen shumë ballokumja.”

“Unë quhem Klea, u kënaqa shumë me karnavalet sot, dita ishte shumë e bukur dhe uroj gëzuar ditën e Verës. Bëj edhe një përshëndetje për televizionin Klan, mirupafshim.”

Si çdo 14 mars, simboli i ditës së verës ka qenë ballokumi. Shumë qytetarë i janë drejtuar punishteve me traditë në prodhimin e kësaj ëmbëlsire, ndërsa të tjerë e kanë blerë atë në tezgat e qytetit.

Dita e Verës është një festë pagane. Ajo simbolizon largimin e stinës se ftohtë dhe ardhjen e periudhës së ngrohtë. Ne 14 mars, bimësia zgjohet nga gjumi dimëror dhe nis të thithë nga toka lëngjet që i nevojiten për t’u rritur. 

Elbasani ruan traditën e vjetër të kësaj feste, ku në vigjilje të saj, njerëzit mblidheshin më shpejt në shtëpitë e tyre, për të nisur festimet. Zgjimi bëhej në të gdhirë dhe të moshuarit herët në mëngjes hapnin derën e shtëpisë për bujari, merrnin shtamën për ta mbushur me ujë të freskët, dhe sillnin në shtëpi një plis bari të gjelbëruar. /tvklan.al