Kryeministri Berisha ka preferuar të zbresë në qytetin e Elbasanit përkrah qindra qytetarëve të mbërritur nga mbarë vendi, për të festuar me ta Ditën e Verës.

Vizita e parë e kreut të qeverisë ka qenë ajo e zhvilluar në panairin që nuk i mungon tashmë kësaj feste. Në stendën e Qarkut të Elbasanit, ndërsa u njoh nga ministri i ri i Kulturës me planin urbanistik të këtij qyteti, Berisha nuk nguroi të sulmonte kryetarin e bashkisë së Tiranës Ramën, se po vijon të mbajë peng planin urbanistik të kryeqytetit.

Sali Berisha: “Ata që bllokojnë studimet urbanistike, ata vetëm dëshmojnë së territorin e qytetit që në këtë rast i Tiranës e duan për të mjelur dhe për ta vjedhur. Por shfrytëzoj festën për ti bërë thirrje kryetarit të bashkisë së Tiranës sepse ai e ka përfunduar dhe e ka ndry në sirtar të dorëzojë planin urbanistik sepse nuk është pronë as e EDIL-it dhe as e Edvinit, por është pronë, pasuri e qytetarëve të Tiranës dhe mbarë Shqipërisë”

Në vazhdim të vizitës së tij, kryeministri Berisha mori pjesë dhe në ceremoninë e inaugurimit të furrës së re elektrike me hark dhe impiantin integrues të filtrimit, në kompaninë e çelikut “Kurum”.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e 10 vjetorit të fillimit të aktivitetit të kësaj kompanie në Shqipëri, Berisha i cili shoqërohej nga ministri i jashtëm Lulzim Basha, ai i Mjedisit Lufter Xhuveli, si dhe drejtues të pushtetit vendor u shpreh se Shqipëria mbetet vendi i besimit të palëkundur për investitorët e huaj.

Sali Berisha: “Kjo kompani finalizon sot me sukses këtë investim të madh prej 120 milion eurosh. Me të cilin vendos standardet më të sigurta të mbrojtjes së mjedisit, kapacitetin shkrirës të këtij kombinati e rritur nga 50 mijë ton në 900 mijë ton, duke e shndërruar Shqipërinë në një nga vendet e rëndësishme të prodhimit të çelikut në rajon. Qeveria ime do të bëjë çdo përpjekje për të lehtësuar në çdo aspekt këto veprimtari, për të kontribuar ne suksesin tuaj, për të shpërblyer besimin e madh që ju keni dëshmuar tek Elbasani dhe tek Shqipëria”.

Gjatë kësaj vizite me rastin e ditës së Verës, kreu i qeverisë u takua edhe me qytetarë të shumtë, përgjatë shëtitores kryesore të Elbasanit, me të cilët ndau urimet e kësaj feste./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro