Ministri i Rendit Ilir Gjoni dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Bilbil Mema, kanë shkuar sot në Fier ku kanë marrë pjesë në konferencën rajonale për parandalimin dhe kultivimin e bimëve narkotike. Fieri është një nga rrethet që shënon shifrat më të larta të kultivimit të këtyre bimëve ku janë asgjesuar rreth 68 mijë rrënjë kanabis sativa, janë penalizuar 467 persona për këtë qëllim si dhe janë sekuestruar 19 kilogramë farë të bimëve narkotike.

Në përfundim u hartua një plan strategjik në zyra të përbashkëta për policinë dhe pushtetin lokal me qëllim parandalimin dhe kultivimin e bimëve narkotike. Pas takimit, ministri Gjoni u shpreh:

Nuk janë ata fshatarët e varfër apo ata pleq e plaka të cilët normalisht janë pronarë të një pjese toke të cilët e organizojnë trafikun. Për këtë nuk besoj se ka asnjë dyshim. Janë ata që e porosisin, trafikojnë lëndët narkotike të cilët përbëjnë një rrezik për shoqërinë tonë.”/tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego