Lajme Arkiva – TV Klan 2003

“Syri magjik” është filmi më i ri i regjisorit Kujtim Çashku, i cili ka nisur fazën e xhirimeve të tij. Subjekti i filmit është marrë nga ngjarjet e zymta të vitit 1997 në Shqipëri dhe trajton marrëdhëniet e mediave me krimin dhe trafiqet.

Aktualisht xhirimet e këtij filmi janë përqendruar në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, një qytet i cili ka ndjerë më shumë tmerrin dhe frikën e trazirave të vitit 1997.

Qytetarët gjirokastritë janë habitur kur janë përballur me një rikthim të ngjarjeve të zymta të këtij viti, kur për ironi ecnin krah për krah nuset me fustane të bardha dhe arkivolet e të vdekurve. Por në të njëjtën kohë, qytetarët gjirokastrit kanë shijuar edhe lojën e mrekullueshme të aktorëve të këtij filmi, të cilët janë nga emrat më të njohur në kinematografinë shqiptare, si Bujar Lako, Rajmonda Bulku, Timo Flloko, Dhimitër Orgocka etj./tvklan.al