Kriza financiare globale po përhapet me shpejtësi dhe duket se nuk do të lërë pa prekur edhe Shqipërinë, paralajmëroi “Zëri i Amerikës”, që vlerëson se disavantazhet e mosintegrimit të vendit tonë në tregjet botërore shihen tani si avantazhe.

Kjo krizë pritet të ndikojë në ngadalësimin e tregtisë me vendet evropiane. Në pakësimin e eksportimeve shqiptare, në fluksin e të ardhurave nga emigrantët, si dhe në pakësimin e investimeve të huaja.

Kësaj situate i shtohet edhe problemi i kreditimit të lartë të ekonomisë, huatë e dhëna në valutë dhe mungesa e një kornize ligjore të efektshme.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës drejtori i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Gerwin Bell, këshillon një monitorim të vazhdueshëm të sistemit bankar duke mos lënë pas rëndësinë që ka ndjekja nga qeveria shqiptare e politikave të një buxheti të qëndrueshëm.

Kreu i misionit të FMN-së minimizoi problemet që mund të kenë bankat e huaja në Shqipëri për faktin se modeli i biznesit të tyre ndryshon nga ai i bankave evropiane./tvklan.al