Ministri i Brendshëm Taulant Balla thotë se urdhri i ri që ka dalë për punonjësit e policisë të cilët duhet të plotësojnë formularët e vetëdeklarimit për pastërinë e figurës së tyre, është në kuadër të përpjekjeve për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit.

Duke folur për gazetarët pas një aktiviteti, ministri Balla tha se mjafton një veprim i gabuar nga një punonjës policie për të zhbërë gjithë arritjet e organizatës së policisë.

Ata policë që gënjejnë në plotësimin e formularit për kontakte me persona të papërshtatshëm, do të kapen në grackë.

Sipas Ballës, synimi është që Policia e Shtetit të kthehet në institucionin më të besueshëm të qytetarëve.

“Do të bëjmë gjithçka që ka të bëjë me synimin tonë themelor, të garantojmë që çdo qytetar shqiptar të ketë besim tek Policia e Shtetit. Dhe forcimi i këtij besimi lidhet me përpjekjet tona për të çuar më tej procesin e vetëpastrimit të policisë, ka të bëjë me përpjekjet tona për të garantuar paga më të mira për punonjësit e policisë, por dhe punonjësit e policisë duhet të kuptojnë që gjithçka i kemi kërkuar që lidhet me zbatimin e kodit etik, mjafton një komunikim jo i përshtashëm për t’i shkaktuar organizatës së Policisë së Shtetit një dëm të parikuperueshëm dhe gjithçka lidhet me imazhin e Shqipërisë tonë. Janë 14 milionë të huaj që vizitojnë Shqipërinë.

Mjafton një sjellje e keqe për të shkatërruar gjithë punën që bëhet nga ana a organizatës së Policisë së Shtetit. Rezultatet e deritanishme të Policisë së Shtetit janë rezultate që meritojnë respekt. Por jemi shumë larg ende asaj që duam të jemi si objektiv për ta çuar Policinë e Shtetit si institucioni më i besuar në vend. Ata që gënjejnë do t’i kapi çarku”, u shpreh ministri i Brendshëm Taulant Balla.

/tvklan.al