U shpall fajtor për tjetërsimin e pronave në zonën e “Ranës së Hedhun” në Shëngjin

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 2 vite burg ish-kryebashkiakun e Lezhës, Fran Frrokaj. Togat e zeza e gjetën fajtor ish-kreun e Bashkisë, për shpërdorim detyre, pasi lejoi tjetërsimin e pronave te Rana e Hedhun.

Ndaj Frrokajt u aplikua procedura e gjykimit të shkurtuar, ndaj nga 2 vite burg, do të vuajë 1 vit e 4 muaj heqje lirie. Në vendimin për Frrokajn, një tjetër vendim që dha gjykata është që e pengon atë të mos ushtrojë funksione publike për 5 vite.

Bashkë me Frrokajn, GJKKO dha vendim edhe për 5 të pandehurit e tjerë të cilët gjithashtu u akuzuan nga SPAK për shpërdorim detyre. Sokol Toma, Gjovalin Marku dhe Adiona Martini u dënuan me nga 1 vit burg, që iu konvertua në shërbim prove. Ndërsa për dy të pandehurit e tjerë Bledar Cara dhe Juxhina Mema u pushua gjykimi, pasi rezulton se janë gjykuar më parë për të njëjtën vepër penale.

Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e SPAK për të konfiskuar dhe kaluar për llogari të shtetit 66 mijë metra katrorë tokë në zonën e Ranës së Hedhun.

Hetimet për përvetësimin e kësaj sipërfaqeje me vlerë 13 milionë euro në kundërshtim me ligjin nisën që në vitin 2019.

Klan News