Lajme Arkiva 2003

Në 11 vjetorin e krijimit të forumit rinor eurosocialistë, kryetari i kësaj organizate Gjergj Koja ka këshilluar qeverinë të ndërmarrë reforma në energjetik, arsim, drejtësi, shëndetësi si dhe në fusha të tjera në mënyrë që të ketë progres në Bashkimin Evropian.

Gjergj Koja: FRESH-i përbën një garanci dhe një siguri për një brez të ri politikanësh, të cilëve realisht i takon e ardhmja në Partinë Socialiste. Po ashtu ne jemi po aq të vendosur për te mbështetur dhe për tu bërë promotor të reformave të plota dhe të thella që qeveria jonë duhet domosdoshmërish të ndërmarrë në ekonomi, në rend, në energjetikë, në arsim, në shëndetësi dhe në të gjitha fushat e tjera sociale, kur nevojat e reformimit janë imediate nëse duam ti përafrohemi standardeve të Bashkimit Evropian.

Vlerat e të rinjve euro-socialistë i evidentoi kryetari Nano. Ai i garantoi të rinjtë që jetojnë jashtë vendit se do të krijohen kushte që ata të kthehen në atdhe, për të kontribuar në ndërtimin  e vendit.

Fatos Nano: Fryma e konfliktualitetit të vjetër ballkanas po zëvendësohet në mënyrë të kthyeshme me konkurrencën e ideve dhe të projekteve, të programeve të aftësive për reforma dhe rezultate. Në analizë të fundit janë këto që votohen brenda për brenda partisë dhe në elektoratin shqiptar. Pra në këtë ballafaqim publik po merr gjithmonë e më pak pikë militantizmi konfliktual dhe aftësia për sherr.

 Ish-kryetarët e FRESH-it Ilir Zela dhe Monika Kryemadhi sollën kujtimet e rritjes së organizatës për angazhimin e saj në qeverisje për luftën ndaj trafiqeve dhe korrupsionit.

Monika Kryemadhi: Problemet komplekse të reformave, varfëria që ka prekur një pjesë të popullsisë së vendit, papunësia në radhët e rinisë, problemet e sistemit dhe të drejtave të emigrantëve tanë nëpër botë, arsimimi i brezit të ri, lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, padrejtësitë sociale, integrimi i Shqipërisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, si dhe kërkesa përherë në rritje të natyrës së rinisë dhe të mbarë shoqërisë shqiptare, përbëjnë për të gjithë forumin tonë rinor prioritetet kryesore të përfshira në programin e alternativës.

Salla e Pallatit të Kongreseve për 60 minuta u pushtua nga të rinjtë të ardhur nga e gjithë Shqipëria të cilat festuan nën tingujt e muzikës moderne të baletit./tvklan.al