Kombëtarja shqiptare do të jetë e kuruar deri në detaje në kampionatin Europian të Gjermanisë. Përfaqësuesja jonë do të vishet me kostumet e atelier “Altin Mici”, që do kujdeset për imazhin e kuqezinjve, teksa ka realizuar një set veshjesh speciale për ekipin dhe të gjithë stafin kuqezi.

Presidenti Duka theksoi se bashkëpunimi ka qenë me fat dhe shprehu kënaqësinë që ky atelier do të kurojë edhe në vazhdimësi imazhin e Kombëtares shqiptare.

Armand Duka, President i FSHF: Në qendren e trajnimt të ekipit kombëtare në Austri kemi një mik special, pronarin e atelie Micit, zotin Altin Mici me të cilin kemi një bashkëpunim të vjetër për Kombëtaren shqiptare. Ky bashkëpunim ka filluar më parë se viti 2016 dhe n’a ka sjellë fat për të qenë pjesë e Europianit. Padyshim që çdo detaj, sado që mund të duket i vogël është i rëndësishëm për një skuadër të futbollit, pra ky është një detaj shumë i rëndësishëm.

Ndërsa, stilisti Altin Mici theksoi krenarinë për mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit dhe shprehu dëshirën që të jetë sa më i suksesshëm edhe në të ardhmen.

Altin Mici, stilist: Unë jam shumë krenar që kam mundësinë të kujdesem për imazhin e kombëtares shqiptare tashmë u bë 8 vite dhe kjo është një përgjegjësi që e kam parë me seriozitetin maksimal. Që nga hera e parë që jam kujdesur për imazhin e Kombëtares së Shqipërisë e kam bërë me një pasion dhe krenari të papërshkruar.

Kombëtarja kuqezi po përgatitet në Austri për miqësoren e dytë të muajit Qershor kundër Azerbajxhanit në prag të Euro2024.

Skuadra e Sylvinho ka zhvilluar seancë të lehtë stërvitore me lojtarët që nuk u aktivizuan ose luajtën pak minuta ndaj Lihteshtejnit. I gjithë grupi është në gjendje të mirë dhe nuk ka probleme fizike për asnjë lojtar.

Klan News