“Në asnjë moment nuk kemi pasur dyshime për vazhdimësinë”, kështu shprehet presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka, pas rinovimit të kontratës me trajnerin Silvinjo.  

“Projekti i nisur me trajnerin Sylvinho dhe stafin e tij, Zabaleta e Doriva, nuk mund të ndalej. Në asnjë moment nuk kemi pasur dyshime për vazhdimësinë dhe tani edhe e kemi konkretizuar me hedhjen e firmës mbi kontratë, deri në dhjetor të vitit 2025”, shkruan Duka në një postim në rrjetet sociale.

Kreu i FSHF po ashtu thekson se tanimë e gjithë vëmendja do të jetë për të shkuar për herë të parë në kupën e Botës.  

“Që në fillim kishim synim kualifikimin në Euro 2024 dhe ia dolëm. Tani e gjithë vëmendja është për të shkuar për herë të parë në Kupën e Botës. Besimi se mund t’ia dalim është prezent dhe stafi teknik, futbollistët dhe e gjithë Federata do të punojnë për të arritur këtë qëllim”, shton Duka.

Ishte FSHF që njoftoi më herët gjatë kësaj të mërkure rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares, Sylvio Mendes Campos Júnior, si edhe dy zëvendës-trajnerët, Pablo Javier Zabaleta Girod dhe Dorival Guidoni Junior./tvklan.al