Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Të rinj nga Shqipëria, Mali i Zi dhe Italia, kanë nisur një marshim një javor, ndër vendet nga ku kalon trafiku i qenieve njerëzore. Më shumë se 50 të rinj, janë bashkuar që nga dita e djeshme në një marshim, i cili synon të sensibilizojë opinionin qytetar dhe strukturat qeverisëse të vendeve të rajonit, për të bashkërenduar përpjekjet e tyre në luftën kundër krimit dhe qenieve njerëzore, për qëllime shfrytëzimi.

Fushata Mjaft, në bashkëpunim me organizatën “The door”, zhvillojnë këtë tur rajonal ndërgjegjësimi me biçikleta për të rinjtë. Udhëtimi çiklistik ka nisur dje nga Podgorica, ka përfunduar në Shkodër, e sot është udhëtuar në drejtim të Lezhës, Laçit dhe pasdite në Tiranë. Gjithashtu ata do të ndalen në zonën e Zadrimës, ku do të bëjnë një vizitë dhe do të ndezin qirinj pranë monumentit të vajzave të humbura të Zadrimës.

Më tej është planifikuar të udhëtohet nga Tirana për në Berat e Vlorë. Gjithashtu do të udhëtohet me traget për në Bari, Ankona, Pescara e Foggia. Ata synojnë të ndërtojnë një barrierë të dukshme me anën e biçikletave, posterave, uniformave të tyre, për t’i thënë JO, fenomenit të trafikimit.

Të dhënat e qeverisë shqiptare flasin për rreth 6 mijë fëmijë e të rinj të trafikuar vitet e fundit nga Shqipëria, por Shoqatat Jo Qeveritare dëshmojnë përmasa disa herë më të mëdha të këtij trafiku./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti