Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Luan Rama:- “Pas një periudhe të gjatë të kontrollit të plotë dhe të ndërprerjes së veprimtarisë së grupeve kriminale që merren me trafikun e qenieve njerëzore në Adriatik, ka pasur përpjekje sot për të rikthyer këtë lloj veprimtarie, por falë masave të rrepta të kontrollit të ushtruara nga të gjitha strukturat e policisë në mënyrë të veçantë nga strukturat e policisë kufitare, në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e Guardia di Finanzas është bërë e mundur të bllokohet një gomone me 24 veta në bord, e nisur në hapësirën detare midis Fierit dhe Lushnjes në drejtim të Italisë. Ne bëmë të mundur bllokimin e gomones, diku rreth orës 18:15 në mbrëmjen e sotme. Ata tashmë janë nën administrimin e policisë dhe po shoqërohen për në komisariatin e policisë së Vlorës, ku do të merren në hetim nga strukturat e policisë gjyqësore, jo thjesht për të vënë përpara përgjegjësisë penale trafikantët dhe bashkëfajtorët në këtë trafik, qytetarët që në mënyrë të paligjshme kanë tentuar të kalojnë kufirin, por do ta shtrijmë goditjen në zbatim të ligjit tek të gjitha lidhjet e tyre dhe tek të gjithë ata që kanë ndihmuar apo favorizuar në këtë lloj veprimtarie”./tvklan.al