Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Qytetarët të cilëve gjendja në Shqipëri iu ka ardhur në majë të hundës thonë Mjaft. Një gjest shumë simbolik, një pëllëmbë e ngjyer me bojë të kuqe është firma e të gjitha atyre që kanë mbështetur sot iniciativën e Lidhjes së të Rinjve të Ballkanit dhe Organizatë Kombëtare të Debatit.

Filozofia e tyre është e thjeshtë, kjo iniciativë qytetare është përgjigja e shoqërisë ndaj problemeve politike, sociale dhe ekonomike që karakterizojnë Shqipërinë.

Arbjan Mazniku:- “E gjithë ideja e kësaj lëvizje është kjo, që njerëzit të jenë qytetarë më aktiv dhe të marrin rolin e tyre në mënyrë më aktive si qytetarë, që gjërat në këtë vend të ndryshojnë, duke i thënë Mjaft, pra kjo është edhe logoja e gjithë kësaj fushate, që ti thonë mjaft gjithë gjërave që nuk shkojnë”.

Në katër muajt që do të vijojnë, një sërë aktivitetesh do të zhvillohen në kuadër të fushatës Mjaft. Kjo iniciativë synon të përfshijë rreth tre milion shqiptarë në vend dhe jashtë tij dhe pritet të jetë fushata më e madhe ngacmuese dhe ndërgjegjësuese, e mbajtur ndonjëherë nga të rinjtë shqiptarë.

Përkrah këtyre të rinjve, sot për fat të keq nuk është dukur asnjë nga politikanët tanë, por vetëm përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë, të cilët e kanë mbështetur fuqimisht këtë fushatë./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora