Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Në fushatë për zgjedhjet edhe lëvizja Mjaft, por Mjaft ka vendosur që të nxisë debatin publik mes votuesve dhe kandidatëve të komunave, që nga Kukësi e deri në Sarandë.

Arbjan Mazniku:- “Sot niset një karvan të rinjsh, autobusësh dhe një kamion, i cili kthehet në një skenë lëvizëse, i cili do të vizitojë pak a shumë gjithë Shqipërinë, në lidhje me zgjedhjet. Fushata Mjaft, që tashmë është kthyer në një lëvizje, synon nëpërmjet kësaj lëvizje mbarë kombëtare, që të fuqizojë gjithë qytetarët shqiptarë përsa i përket zgjedhjeve që sapo po afrohen”.

Sipas anëtarëve të kësaj lëvizje, shumë grupe, si OSBE, KQZ, etj, po investojnë shumë në aspektin sasiorë të zgjedhjeve, si regjistrimi i votuesve, pjesëmarrja e tyre dhe monitorimi i zgjedhjeve.

Po këto grupe, kanë inkurajuar Mjaft, të plotësojë këtë punë në aspektin cilësor, që ka si qëllim edukimin e votuesve mbi funksionet dhe përgjegjësitë e kandidatëve, si dhe të thyej perceptimet e gabuara, mbi rolin e pushtetit vendor. Prandaj edhe motoja e fushatës do të jetë “Këtu vendos unë” dhe organizatorë të saj do të jenë përveç anëtarëve të lëvizjes edhe studentë vullnetarë.

“Po jam studente, studioj Psikologji. Synimi dhe objektivi kryesor i fushatës Mjaft në këtë rast është “Këtu vendos unë”, për sistemin zgjedhor në Shqipëri. Njerëzit duhet të dinë mirë se për çfarë po votojnë dhe vota e tyre vlen shumë”.

Fushata është konceptuar jo vetëm në formën e debatit publik, por edhe si një turne teatral dhe muzikor, si një mënyrë mjaft e efektshme, për të realizuar qëllimin e saj. Për shkak të natyrës së tij, ky turne do të tërheqë grupe të rinj votuesish kryesisht nga mosha 18-30 vjeç./tvklan.al