Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Përfaqësuesit e delegatëve të konferencës së Partisë Socialiste në Elbasan, e lejuan Edi Ramën për të marrë pjesë në punimet e kësaj konference dhe për të diskutuar në të. Pas seancës së parë ku u analizua periudha pas zgjedhore në PS, si dhe për shkuarjen në kongresin e ardhshëm, e mori fjalën dhe Edi Rama.

Edi Rama:- “Nëse PS do të ishte me shëndet të plotë, situata do të ishte ndryshe dhe natyrisht nëse PS do të ishte me shëndet të plotë, pavarësisht shkaqeve që mund të rendisim, sipas preferencave nga A tek Zh, elektorati ynë nuk do të kishte pësuar një tkurrje kaq dramatike, se sa ajo e 12 Tetorit. Elbasani ka marrë më pak investime, se sa njësi vendore me një popullsi më të vogël dhe kjo është një e vërtetë shumë e madhe, jo vetëm për Elbasanin, por edhe për njësi të tjera. Ashtu si kundër është shumë e vështirë të kuptosh, se me çfarë kriteri politik dhe me çfarë kriteri profesional bëhet shpërndarja e investimeve në Shqipëri dhe në ndërkohë unë shtrojë pyetjen, a nuk ka ardhur koha pas 13 vjetësh për një ndarje të re territoriale të Shqipërisë? E dini ju që njësitë tona vendore, vazhdojnë të jenë të përcaktuara në bazë të ndarjes territoriale që ishte e kohës së kooperativave bujqësore? Si shpjegohet që brenda të njëjtës forcë, një ministër vjen dhe e heq korrespodencën, një ministër tjetër vjen dhe e vë korrespodencën. Heqja dhe vënie e korrespodencës nuk është thjeshtë një çështje preference personale, është çështje e një programi. Atëherë cili është programi i reformës tonë arsimore? Dëshiroj t’ju bëjë një pyetje dhe me këtë do e mbyll, dëgjova në diskutimet e parafolësve, kam dëgjuar dhe në të gjitha diskutimet në konferencat e tjera, që është koha të rimendojmë dhe të ribëjmë aleancën brenda të majtës, bukuri, po më thoni kush e pyeti anëtarësinë, a u pyet anëtarësia kur u prish aleanca brenda të majtës? A dini gjë ju pse është prishur aleanca brenda të majtës? A keni ju informacion se për çfarë arsyesh politike, strategjike, aleanca brenda të majtës u shkatërrua? Unë mendojë, se pikërisht pse e dua PS, pikërisht pse nuk e dua, pikërisht pse nuk e dua kthimin në pushtet të opozitës dhe shefit të saj, kam ardhur dhe këtu që të shpreh këto shqetësime. Ashtu si kundër unë nuk mendoj që në një parti moderne, bërtitet rroftë kryetari. Çdo parti uron jetëgjatësinë dhe prosperitetin e anëtarëve të vetë. Kryetarët shkojnë e vijnë kushdo qofshin”.

Pas diskutimit të Edi Ramës, i deleguari i kryesisë së PS Namik Dokle iu drejtua delegatëve me këto fjalë.

Namik Dokle:- “Unë dua t’i urojë shokut Edi, si edhe në Gramsh e Librazhd, fushatë të mbarë, megjithëse unë jam numri një në listën e përkrahësve të Fatos Nanos për kryetar të PS”./tvklan.al