Lajme Arkiva 2003

Alfred Peza: Unë nuk gjej fjalë të përshkruaj mënyrën se si një Ministër Rendi arrin të godasë publikisht një gazetar në detyrë dhe për shkak të detyrës ndërkohë që gazetari ishte i ftuar nga ministria e Rendit. Po të kemi parasysh se Partia Socialiste të cilën ai e përfaqëson në qeveri, organizonte pritjen dhe unë nuk kam dëgjuar ndonjëherë në historinë e shteteve moderne për aq kohë sa është shpikur edhe institucioni i ministrisë së Rendit që të ketë ndodhur një veprim i tillë, por nuk është ky problemi. Ajo që është më shqetësuese për mendimin tim është reagimi mbrapa kësaj ngjarje. Kemi një heshtje totale të qeverisë dhe kemi një letër hipokrite të ministrit të Rendit drejtuar prokurorit të përgjithshëm ku ministri i rendit e fton prokurorin e përgjithshëm pasi ka mohuar një gjë që është bërë publike në publik dhe e parë nga publiku e fton që të hetohet. Kulmi i hipokrizisë sepse Ministri i Rendit është deputet dhe veprimi i parë që duhet të bënte ministri i Rendit ishte që do të dorëzonte mandatin e deputetit,sepse ai e di shumë mirë që një deputet nuk mund të hetohet. Pra ministri i Rendit nëse vërtet ndihet i pafajshëm në të gjithë këtë histori, nëse varte mendon se nuk e ka goditur dhe nuk e ka konsumuar atë veprim për të cilin tashmë e akuzon mendja dhe opinioni i gjerë i organizmave të drejtave të njeriut dhe politike të dorëzoj mandatin e deputetit. Të largohet nga detyra e ministrit të Rendit dhe të vihet në dispozicion të drejtësisë dhe le të jetë pastaj hetimi ai që do e zbardhë përfundimisht këtë çështje. Kam frikë se ministri i Rendit me atributet që i ka, ka zhdukur provat, sepse  mesa di unë brenda ambienteve të Pub Rozafa Palace, ku ka ndodhur ngjarja ka kamera sigurie të brendshme të cilat e kanë filmuar dhe e kanë fiksuar të gjithë ngjarjen dhe siguria e ministrit të Rendit, besoj, pasi lexova deklaratën, buron nga fakti se ai me fuqinë qëi jep posti që mban ende ka arritur të asgjësoj edhe këtë provë që është filmimi i brendshëm.

Mero Baze: Unë mendoj se ajo që ka ndodhur i kalon kufijtë e incidentit të zakonshëm, është një akt i paprecedent dhe mendoj se edhe në historinë e shtypit botëror nuk ka ndodhur ndonjë rast i tillë kur një gazetar e kryeredaktor i një televizioni, për më tepër një gazetar i njohur të ftohet në një pritje dhe aty të gjendet përpara një situate që unë do ta vlerësoja poshtëruese, jo vetëm për të por për të gjithë gazetarët shqiptarë, por edhe për elitën politike të vendit, është një turpërim i përgjithshëm i shoqërisë shqiptare, është një lajm që turpëron në radhë të parë kryeministrin, kabinetin e tij dhe për më tepër vendos përpara një sfide të vështirë mënyrën se si duhet të reagojë shtypi shqiptar ndaj tij. Dorëheqja nuk zgjidh asgjë dhe nuk sqaron, nuk e zgjidh problemi, por ajo është një hap i parë për të na kujtuar të gjithëve se jemi një shoqëri që reagon ndaj poshtërimit të një gazetari. Ajo që e zgjidh çështjen deri në fund është  procesi gjyqësor dhe reagimi i plotë i qeverisë shqiptare për të krijuar një klimë besimi mes saj dhe shtypit. Mosdhënia e dorëheqjes është një fyerje edhe më e madhe se rrahja e gazetarit.

Mustafa Nano: Veçanërisht e rëndë, jo për pasojat që ka lënë sepse Babaramo është shëndosh e mirë, si molla, por për simbolikën arrogante që mbart ky gjest nga ana e një ministri. Këtu nuk është problemi për të ndëshkuar një ministër. Unë i pari jam i gatshëm ti lutem Babaramos që të mos e ndjek si proces penal këtë që ka ndodhur. Problemi është se këto gjëra janë dramatikisht të papranueshëm. Unë nuk mund ta imagjinoja, unë mund të imagjinojë që një ministër në momente të caktuara mund të shkalloj sepse jemi njerëz edhe nuk e shmang dot, edhe mund të bëjë atë që bëri. Por atë që unë nuk e imagjinoj dhe nuk mund ta kuptoj kurrë është që ky ministër është akoma ministër. Nuk ka kurajën të reflektojë mbi atë që ka ndodhur dhe të bëjë gjestin e vetëm që ka mbetur për të bërë, të japë dorëheqjen.

Arjan Çani: Unë vet nuk kam qenë dëshmitar dhe nuk pash se çfarë ndodhi realisht megjithatë u informova vetëm pak orë më pas. Më vjen vërtet keq që një gjë e tillë ka ndodhur në një atmosferë feste siç ishte ajo e asaj nate, pra e 2 netëve më parë. Sigurisht që unë e dënoj këtë akt në qoftë se ai akt ka ndodhur ashtu siç është treguar më pas edhe nga mediat dhe nga vet kolegu Babaramo. Të them të drejtën më vjen pak habi dhe habitem pak sepse e njoh dhe vetë, e njoh personalisht Ilirin dhe e njoh si një djalë të qetë,  si një djalë pa eksese, si një djalë që gjithsesi është munduar, është përpjekur gjithë këto vite që të ruaj një etikë profesionale. Dënoj aktin e ministrit në qoftë se është e vërtet se ministri ka ngritur dorën ndaj një gazetari kushdo qoftë ai. Unë mendoj se dorëheqja është një akt personal, është një akt që varet nga ministri. Nuk e di nëse për rastin që po flasim, ministri i Rendit e ka të thjeshtë të japë dorëheqjen. Të kemi parasysh se konjetura politike të cilën ne po e përjetojmë nuk është dhe aq e favorshme mendoj unë që ai të japë dorëheqjen, pasi po të japë dorëheqjen edhe ministri i Rendit me siguri që ky kabinet do e kishte shumë të vështirë mbijetesën, pasi të kemi parasysh se ende nuk është zgjidhur problemi i ministrit të Jashtëm.

Erion Veliaj: Fakti që një gjë e tillë ndodhi në mes të Evropës në vitin 2003 është komplet e papranueshme. Mbaj mend sa rasti i fundit i tij ndodhi në Burundi. Në qoftë se këto janë vërtetë standardet për të cilat ne aspirojmë, atëherë jemi më se në rregull. Në qoftë se aspirojmë për standarde të tjera Shqipërisë i duhen modele. Nëse ai që është në krye të një institucioni që duhet të mbrojë të drejtat e qytetarëve, nuk e ka këtë model atëherë duhet të pranojmë se në mendjen time dhe të shumë njerëzve të tjerë që mendojnë si unë ai mbetet një ish ministër i prapë që duhet të japë dorëheqjen një orë e më parë.

Sali Berisha: Dhunimi është akti më i turpshëm, më i rëndë. Kjo është dëshmi e rrugeçërve ministra dhe unë e theksova edhe në Bruksel. Urdhëroni të gjeni ministra që rrahin të ftuarit, gazetarët. Kjo është fytyra e vërtetë e gangsterëve të qeverisë së sotme. Është një akt i dënueshëm të cilin ne nuk mund ta kalojmë siç kërkon ta kalojë Fatos Nano me një gangster, jashtë çdo lloj etike dhe morali, të agresosh të ftuarit. Këtë e bënë vetëm banditi, por të agresosh gazetarin ke kryer një krim 2 herë më të rëndë. Ndaj edhe unë domethënë e mora sapo mora lajmin e bëra të njohur në Bruksel këtë zhvillim që është tipar i padrinos dhe atyre që e rrethojnë.

Bamir Topi: Do ishte paradoksi më i madh që ai ministër që është vendosur në një pozicion të tillë për të mbajtur rendit, të prishi vet rendin. Pra janë të dy planet, në planin personal dhe në planin institucional.

Mustafa Muçi: Që është një rast i paprecedent, mendoj se diçka e tillë do i shkonte vetëm Zhirinovskit dhe realisht i takon prokurorisë, i takon organit të drejtësisë që të zbardhin të vërtetën lidhur me çështjen. Ndërkohë gjithashtu mendoj se do të ishte në të mirë të zbardhjes së procesit, në të mirë të zbardhjes së të vërtetës që ministri Rama të vihej në dispozicion të drejtësisë jo vetëm nëpërmjet deklaratës që ka bërë, por gjithashtu edhe nëpërmjet dorëheqjes së vet.

Et’hem Ruka: Ajo është në dorën e tij por unë jam kundër prekjes jo vetëm të gazetarëve, por të çdo qytetari. Në qoftë se kjo ka ndodhur është e rëndë, por deklaratat e ministrit të Rendit thonë se ai nuk e ka prekur.

Shaban Memia: Ngjarja e dy ditëve më parë është një skandal ekstrem pasi nga njëra anë ka komprometuar shumë rëndë shtetin, së dyti është një atentat ndaj fjalës së lirë, së treti është e papranueshme edhe për moralin shqiptar ta ftosh tjetrin dhe ta rrahësh në këto kushte ai duhet të largohet në mënyrë të menjëhershme nga të gjitha funksionet dhe të jap dorëheqje edhe si deputet edhe si ministër të dalë qytetar i thjeshtë dhe nga ana tjetër duhet të jap llogari para drejtësisë për ngjarjen e fundit.

Marko Bello: Unë si mik i gazetarëve patjetër që jam solidar me gazetarët.

Bashkim Fino: Ndodhi me një ministër që për mua realisht ka qenë një nga ministrat më të suksesshëm aq më tepër po të kemi parasysh edhe raportim më të fundit të ndërkombëtarëve që vërtetë është vlerësuar puna e policisë, por kam përshtypjen se këto kanë ardhur si rezultat i marrëdhënieve shumë të ngushta që mund të ketë krijuar ministri me gazetarë të caktuar me të cilat ju abuzoni herë pas here.

Edi Paloka: ka pasur raste të tjera ku bodyguardët kanë sulmuar gazetarët, por raste kur vetë ministri kthehet në rrugaç dhe sulmon gazetarin ky është rasti i parë padiskutim dhe unë nuk e di se si mund të hyjë në parlament ai njeri sot.

Dashamir Shehi: Unë shpresoj të mos jetë e vërtetë, por po të jetë e vërtetë këta njerëz duhet të mbajnë përgjegjësit e veta.

Gazetari: Duhet të japi dorëheqjen ministri?

Dashamir Shehi: Në logjikën normale po.

Paskal Milo: Në asnjë mënyrë nuk do të pajtohesha me një akt të tillë brutal i cili është në kundërshtim me çdo ndjenjë njerëzore, por edhe me çdo ndjenjë detyre në rastet kur kemi të bëjmë me autoritete të larta shtetërore.

Spartak Braho: Në qoftë se ngjarja është e tillë pa dyshim që në planin moral, personal mban përgjegjësi.

Gazetarja: A duhet të japi dorëheqjen?

Spartak Braho: Është diçka që e çmoi edhe kryeministri./tvklan.al