Pas mbështetjes që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i përcollën këtë javë qeverisë shqiptare përmes zv/sekretarit të mbrojtjes, Ingland, për anëtarësimin e plotë në NATO.

Një tjetër përfaqësues i lartë i Aleancës Veri-Atlantike rikonfirmon besimin e vendeve aleate duke e deklaruar se përmbushja e kësaj aspirate është merita e qeverisë dhe shqiptarëve.

Deklarata ka ardhur nga kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s, admiral Gianpaolo Di Paola, i cili tha në Tiranë se Shqipëria shumë shpejt meriton të jetë anëtare me të drejta të plota në NATO.

Xhanpaolo Di Paola: “Unë dua të rikonfirmoj rëndësinë e mbështetjes që Shqipëria po ofron për aleancën. Le të shpresojmë që të bëhet anëtare me të drejta të plota në muajt e ardhshëm. Ky është një vlerësim për shqiptarët, qeverinë shqiptare dhe një vlerësim i punës jashtëzakonisht të madhe që ky vend ka bërë për t’u bërë një anëtar i respektueshëm i komunitetit ndërkombëtar dhe një anëtar i ardhshëm i NATO-s. Shqipëria tashmë po mbështet NATO-n në shumë operacione, jo vetëm në Afganistan, por edhe në disa misione të BE-së dhe me anëtarësimin e Shqipërisë kontributi do të jetë edhe më i madh dhe për këtë jemi shumë mirënjohës ndaj jush, zoti kryeministër.”

Këtë deklaratë admirali Di Paola e bëri në takimin që zhvilloi me Ministrin e Mbrojtjes, Oketa, dhe e ritheksoi atë dhe gjatë bisedimeve me kryeministrin Berisha, ndërkohë që vetë kreu i qeverisë nënvizoi faktin se anëtarësimi i Shqipërisë në vendet e Atlantikut Verior është synimi më i madh dhe më i rëndësishëm.

Sali Berisha: “E sigurova gjeneralin, admiralin Di Paola se reformat do të jenë perpetuum mobile dhe se ato do të interesojnë të gjitha fushat nga reformat politike, të cilat Shqipëria do të konsolidojë të gjitha standardet e një demokracie funksionale. Reformat e tregut me të cilat Shqipëria do të garantojë do të ketë një ekonomi tregu të lirë dhe funksionale. Reformat e Forcave të Armatosura, me të cilat Shqipëria do të ketë një ushtri profesionale, të vogël, të mirë stërvitur dhe të aftë për të përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga aleanca.”

Në këtë vizitë në Tiranë kryetari i komitetit ushtarak të NATO-s u prit në takime të veçanta dhe nga presidenti i republikës Bamir Topi dhe Ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, ku gjithashtu u diskutua për reformat e ndërmarra nga Shqipëria për të qenë pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë./tvklan.al

Gazetare: Anduena Llabani