Kreu i ministrisë së Bujqësisë u është përgjigjur akuzave të lëshuara nga kryesocialisti Edi Rama, se fermerët shqiptar po importojnë barin e thatë e se në mungesë të tregut prodhimet bujqësore po hidhen në rrugë.

Gjatë një konferencë për mediat ministri Jemin Gjana deklaroi, se prodhimi vendas është rritur ndjeshëm. Gjatë 2007 gati 80% e nevojave për konsum për produkte bujqësore dhe blegtorale janë mbuluar nga prodhimi vendas ndërkohë që edhe eksportet shqiptare për këtë kategori janë rritur më 25% në vit.

Jemin Gjana: “Ndofta ai kompleksi i barit dhe i parimeve se do të hamë barë dhe nuk i shkelim parimet, e ka turbulluar rëndë vështrimin dhe të opozitës. Viti 2008 është një vit i mbarë për bujqësinë, prodhimi i grurit këtë vit është 20% më i madh. Sipërfaqja e mbjellë me misër është më e lartë se vitin e kaluar që është mbjellë në pranverë të këtij viti. Sipërfaqja e mbjellë me foragjere është 14% më e lartë, eksporti i shalqirit këtë vit ka qenë një bum e vërtetë.”

Në mbështetje të fermerëve Gjana deklaroi se ka nisur puna për ngritjen e agjencisë së pagesave për bujqësinë. Agjencia që pritet të startojë në janar të vitit të ardhshëm është një mekanizëm që grumbullon dhe shpërndan fonde për bujqësinë./tvklan.al

Gazetari: Fjorald Zguro