Skela e vendosur në godinën 15- katëshe në hotel “Tirana Internacional” është rrëzuar duke marrë me vete tre nga puntorët që po pastronin muret dhe xhamat e godinës. Dy puntorë janë lënduar rëndë duke marrë fraktura të ndryshme, por për fat të mirë, rënia e skelës nuk ka shkatuar të vdekur. Skela është rrëzuar gradualisht dhe rënia e puntorëve ka qenë e ngadaltë çka ka bërë, që me gjithë lartësinë e shumëkateve, aksidenti të mos jetë vdekjeprurës.

Menjëherë në vendngjarje kanë ardhur ambulanca të shumta, forca policore, zjarrfikës dhe skuadra të ndërhyrjes së shpejtë. Të alarmuar nga lartësia dhe përmasat e skelës së rrëzuar, fillimisht ata kanë kërkuar nën grumbullin e hekurave për të gjetur viktima të tjera. Më pas kanë qenë vetë puntorët e shpëtuar që kanë konfirmuar se mes tyre nuk mungonte asnjë person tjetër.

Forcat e Komisariatit Nr.3 kanë ndaluar menjëherë përfaqësuesin e firmës së skelave Petrit Syla dhe një përfaqësues të firmës pastruese. Janë shoqëruar gjithashtu dhe 6 puntorë dëshmitarë në vendngjarje të cilëve do t’u merret një deklaratë për aksidentin. Ndërsa Policia Ndërtimore po konstaton shkeljet teknike në objekt.

“Ndërkohë ne si institucion, në atë hapësirë sa na rekomandon zbatimi i ligjit, kemi ngritur një grup ekspertësh të cilët po verifikojnë kushtet e montimit të skelave siç kemi kërkuar ndërkohë që me urgjencë nga Policia e Rendit të thirret përfaqësuesi i firmës bashkë me puntorët, të fillojnë çmontimin e pjesës së mbetur, me qëllim që të shmanget çdo eventualitet.”

Gazetarja: “Ishte marrë leje për të vendosur mjetet për rikosntruksionin e hotel “Tiranës”?”

“Leje për një pastrim të xhamave, fasadës. E gjithë praktika ligjore do të verifikohet për të ardhur në përfundime rigoroze, ashtu sikundër do të kërkohet të veprohet fort ligjërisht.”

Pas trajtimit në Urgjencën e Spitalit Ushtarak, dy të plagosurit konfirmohet se janë jashtë rrezikut për jetën. Osman Lapaj 27-vjeç, sipas kartelës mjekësore, ka pësuar shembje të përgjithshme. Më rëndë rezulton gjendja klinike e 44-vjeçarit Ndoc Marku, i cili mbart fraktura të shumta në shpatull dhe në kokë. Të dy pacientët janë trajtuar në sallën e kirurgjisë dhe, sipas ekipit të mjekve të urgjencës, gjendja e tyre nuk është kritike për jetën. Ndërsa dhjetra familjarë të puntorëve që pastronin në skelat e 15- katëshit, pasi kanë dëgjuar lajmin për aksidentin, kanë nxituar të alarmuar drejt Spitalit Ushtarak. /tvklan.al