Kreu i Korporatës Elektroenergjetike, Gjergj Bojaxhi ka premtuar furnizim pa ndërprerje të vendit me energji elektrike jo vetëm për sezonin e verës, por edhe për periudhën e dimrit.

Këto deklarata ai i ka bërë gjatë inspektimit të punimeve për ndërtimin e TEC-it të Vlorës, vizitë në të cilën ka qenë i shoqëruar nga kreu rajonal i Bankës Botërore.

Gjergj Bojaxhi: “Korporata ka marrë masat që e gjithë zona e bregdetit dhe në mënyrë të veçantë zona e Vlorës, të mos kenë probleme me furnizimin me energji elektrike. Ky nuk nënkupton në asnjë mënyrë një ndërprerje të dytë mbas sezonit turistik. Ne do të vazhdojmë të furnizojmë vendin, zonën e bregdetit dhe vendin siç e kemi bërë gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti”.

Pasi kanë parë nga afër zbatimin e  projektit ata janë treguar të kënaqur me ecurinë e punimeve duke u shprehur optimistë lidhur me përfundimin e veprës brenda afateve.

Ndërkaq Bojaxhi ka premtuar se në pranverën e ardhshme në zonën e Triportit do të rinisë pyllëzimi me pisha i 60% të sipërfaqes brenda territorit të TEC-it./tvklan.al