I Ngarkuari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka deklaruar se Gjermania nuk përkrah ndonjë formë të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe që minon integritetin e Kosovës.  Sipas tij, moskrijimi i Asociacionit nuk e çon vendin drejt BE-së.

Manuel Sarrazin: Tani është koha e duhur që të vazhdohen më tej hapat për krijimin e Asociacionit. Të gjithë e dinë se shumë vende mosnjohëse brenda BE-së shikojnë nga Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe, por unë nuk mund t’iu them se çfarë do të bëjnë ata, nëse kjo kryhet ose jo, sepse nuk është puna ime. Gjermania njeh Kosovën, por, edhe ne jemi të bindur se kjo është gjëja e duhur të bëhet, veçanërisht tani dhe të shkohet më tej. Mund të keni besim tek Gjermania, ne kurrë nuk do të përkrahim ndonjë formë të Asociacionit që minon integritetin e Kosovës, por moskrijimi i Asociacionit nuk çon drejt BE-së.

Të martën Asambleja parlamentare pritet që të votojë raportin e Dora Bakoyannis për anëtarësimin e Kosovës në KE. Sipas diplomatit gjerman Manuel Sarrazin, krijimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe nuk do të jetë “kusht” shtesë.

Sarrazin tha se nuk kishte ndonjë sinjal se përfaqësuesit e Listës Srpska do të tërhiqen nga vendimi që të bojkotojnë votimet e 21 prillit për shkarkimin ose jo të 4 kryetarëve shqiptarë në komunat veriore në Kosovë.

Klan News