Zgjerohet bashkëpunimi i qeverisë shqiptare me atë gjermane për zhvillimin e mëtejshëm të vendit tonë.

Një ditë pas vizitës së kryeministrit Berisha në Berlin qeveria federale i ka akorduar Shqipërisë një fond prej 120 milion eurosh.

Vetë kancelarja Angela Merkel u zotua gjatë takimit me kreun e qeverisë se bashkëpunimi ekonomik mes Gjermanisë dhe Shqipërisë do të pësonte një rritje të madhe.

Shuma prej 120 milion eurosh do të përdoret në projekte mjaft të rëndësishme të zhvillimit të vendit.

Në fokus do të jetë rrjeti i kanalizimeve të zonës Korçë-Pogradec dhe të qarkut të Shkodrës, si dhe projektet për rrjetin jugor energjetik.

Infrastruktura energjetike është një tjetër fushë ku do të përqendrohet lëvrimi i këtij fondi prej 120 milion eurosh, siç është projekti i interkonjeksionit energjetik me Kosovën dhe të tjera.

Akordimi i këtij fondi është ndihma e radhës në vazhdën e mbështetjes së fuqishme që Berlini i jep Shqipërisë.

Kjo ndihmë për zhvillimin ekonomik të vendit tonë është tepër e çmuar dhe është materializuar gjithnjë e më shumë gjatë këtyre viteve.

Një ditë më parë kryeministri Berisha mori garancinë nga kancelarja Angela Merkel për ndihmën dhe përkushtimin e Gjermanisë në integrimin e Shqipërisë në strukturat euroatlantike.

Merkel përgëzoi Tiranën zyrtare për progresin e arritur në të gjitha fushat, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle