Ndoc Ashta prej dekadash ka bërë përpjekje për të gjetur eshtrat e xhaxhait të tij që është pushkatuar gjatë regjimit komunist. Siç kujton ai, xhaxhi i ndjerë është pushkatuar më 4 Mars 1946, së bashku me një grup klerikësh dhe seminaristësh.

“Nuk i dimë varrin dhe kjo është një lloj tronditje për ne si familje sepse na duket shumë më e lehtë edhe pse është pushkatuar nëse do të kishim një vend ku ta kujtonim.”

Përveç përpjekjeve të mërpashme ndër vite, Ndoc Ashta nuk heq dorë, dhe përpara dy javësh ka dërguar pranë Autoriteit të Dosjeve një kërkesë për një hetim administrativ në vendin e dyshuar. Ai nuk është i vetmi pasi vetëm në 2023 në Autoritetin e Dosjes janë depozituar 57 kërkesa.

Ndoc Ashta: Realisht nuk është berë ndonjë përpjekje serioze në gjithë këto vite, është folur shumë, por nuk është bërë asgjë serioze. Në momentin që flasim është një vend i dyshuar ka ardhur mediat, autoritetet, por akoma nuk është është bërë asgjë, për të bërë verifikimin. Ky është vend është pranë varrezave të Rrmajve.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Dosjeve në një raport të depozituar pranë kuvendit, kërkon miratimin e një VKM për gjetjen, identifikimin dhe rikuperimin e eshtrave të personazve të zhdukur gjatë diktaturës, një proces që ka mbetur në vend prej vitesh.  

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit: Sfidë mbetet realizimi i kuadrit të plotë ligjor që përcakton përgjegjësitë dhe modalitetet e palëve me rol në proces, ku vendimi i Këshillit të Ministrave, është parësor dhe mund t’i bënte më të nevojshme, më konkrete dhe të zbatueshme marrëveshjet dy ose më shumëpalëshe të lidhura, ose që do të lidhen mes institucioneve të përfshira në procesin për identifikimin dhe rikuperimin e personave të zhdukur.

Pjerin Mirdita: Duhen kuptuar mekanizmat shtetërore për këtë nismë. Së pari, duhet të dimë se kush janë institucionet që janë në këtë proces, kush duhet ta çojë përpara këtë proces dhe si proces shumë i vonuar pasi duhej të niste që në 90’, tani edhe ato vendvarrime të dyshuara janë tjetërsuar, në pjesën më të madhe aty është ndërtuar.

Nga 2017 deri në 2023 janë regjistruar gjithsej 280 kërkesa për gjetjen e eshtarve të të parëve, ndërsa organizatat ndërkombëtare dhe autoritetet vendore flasin për një numër deri në 6 mijë të zhdukur që ende nuk dihet se ku prehen.

Prokuroria, policia, gjykatat, Instituti i Mjeksisë Ligjore, si dhe ICMP, Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur janë institucionet që ligjërisht u njihet e drejta për të trajtuar çështjen e të zhdukurve. Deri më tani, Autoriteti i Dosjeve bën me dije se hetimi i parë administrativ pritet të nisë në Shkodër.

Tv Klan