Henerigert Mitri, ish-drejtori i Policisë së Lezhës i vetëdorëzuar disa ditë më parë, u la në qeli pa afat nga Gjykata e Posaçme, e cila miratoi këtë të shtunë masën e dhënë në mungesë për të.

Mitri nuk foli para gjyqtares së masës dhe nuk dha shpjegime mbi dyshimet e ngritura nga SPAK se është përfshirë në korrupsion dhe kultivim kanabisi duke bashkëpunuar me grupet kriminale.

Nga ana tjetër avokati Ardian Leka, kërkoi që ish-drejtori i policisë të hetohet në një masë sigurimi më të butë.

SPAK thotë se nga komunikimet e zbardhura nga aplikacioni Sky dhe verifikimet e tjera mbështetëse, ka rezultuar se Henerigert Mitri gjatë vitit 2020 në disa raste, ka komunikime që tregojnë bashkëpunimin e tij në kultivimin e kanabisit dhe dekonspirimin e operacioneve kundër veprimtarisë në zonë.

Në lejimin e ushtrimit të lojërave të fatit në kundërtshtim me ligjin si dhe ndërhyrje për të tretë në operacione.

Henerigert Mitri iu dorëzua drejtësisë pasi qëndroi në arrati që prej muajit Maj, kohë kur u lëshua masa e sigurisë në mungesë.

Tv Klan