Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Të pandehurit e akuzuar për krijim të organizatës kriminale, me qëllim trafikimin kombëtar të kokainës, mbetën me të njëjtën masë dënimi që dha gjykata e Tiranës në muajin Prill. Gjykata e Apelit e ka përmbledhur vendimin e saj, për Sokol Koçiun, Frederik Durdën, Arben Përballën, Alfred Nanaj e Din Gjonaj, vetëm në disa rreshta duke rikonfirmuar vendimin e gjyqtarit Gjin Gjoni.

Gjyqtari:- “Pasi u shqyrtua çështja në tërësi, përfundimisht u vendos: lënien në fuqi të vendimit nr. 356, dt.14.04.2003 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për të pandehurit Frederik Durdën, Arben Përballën, Din Gjonaj, Sokol Koçiu, Alfred Nanaj me këtë plotësim, vuajtja e dënimit për këta të pandehur të bëhet në burgjet e sigurisë së lartë. Prishjen e vendimit nr. 356, dt.14.04.2003 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe pushimin e gjykimit për të pandehurin Vebi Hysi”.

Të pandehurit të cilët kërkuan pafajësi nga gjykatat e të dyja shkallëve, janë dënuar me 60 vjet burg gjithsej. Në vendimin e shpallur nga gjykata e Tiranës, thuhet ndër të tjera, se ish-oficeri i policisë gjyqësore në Prokurorinë e Përgjithshme Koçiu dhe Frederik Durda, kanë luajtur rolin kryesor në krijimin e organizatës që synonte gjithmonë sipas pretendimit të prokurorisë, të trafikonte sasi të mëdha kokaine nga Kolumbia, duke kaluar transit në Shqipëri drejt Azisë kryesisht në Rusi.

Pesë të pandehurit konsiderohen pjesë e një organizate ndërkombëtare, e cila u godit njëherësh në disa shtete në 2 Shkurt të dy viteve më parë dhe që patishumë të arrestuar./tvklan.al