Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Punonjësit grevistë të hekurudhës shqiptare kanë marrë goditjen e parë nga Gjykata e Rrethit të Durrësit. Edhe pse kryetari i trupit gjykues Neritan Tabaku, ka pranuar një raport mjekësor të avokatit mbrojtës të drejtorisë së hekurudhave dhe ka vendosur të shtyjë seancën për në 19 Janar, ai ka marrë edhe një vendim të ndërmjetëm.

Neritan Tabaku:- “Çmojë të arsyeshme që të pranojë kërkesën e palës paditëse për rifillimin e punës nga pala e paditur, në bazë të provizorit që merret nga gjykata, deri në përfundim të gjykimit të çështjes”.

Një vendim që ka shkaktuar shumë reagime nga salla. Kreu i lëvizjes sindikaliste ka reaguar në këtë mënyrë

“Konsiderojë me të vërtetë si gjyq politik, që i bëhet punonjësit të hekurudhës shqiptare, sepse ne kemi plotësisht të drejtë dhe nuk ka të drejtë të anullojë gjyqtari seancën sepse i plotëson dëshirën palës paditëse. Unë them që ne në hekurudhë nuk kemi për të filluar punë kurrë, jo të vijë ky e të japi urdhër, sepse njerëzit janë të vendosur”.

Ndaj këtij vendimi grevistët kanë mundësi të apelojnë brenda 5 ditësh në Gjykatën e Apelit. Ndërsa grevistët premtojnë se do të përshkallëzojnë grevën e cila ka hyrë tashmë në ditën e 22 të saj./tvklan.al