I akuzuari si pjesëtar i grupit Hakmarrja për Drejtësi, Gëzim Gjonaj nuk i ka pranuar tre akuzat e rënda që rëndojnë ndaj tij. Prokuroria pretendon, se gjatë vitit 96, ai ka kryer grabitje me armë të një banke në Tiranë, vjedhje me pasojë vdekjen, si dhe rrëmbim personi. Edhe pse Gjonaj kishte marrë masën e sigurisë në mungesë, me burg pa afat për këto vepra, ai nuk u arrestua nga policia gjatë kësaj periudhe.

Së fundi ai jetonte në Kodër Kamëz dhe u arrestua pak javë pasi Gjykata e Apelit vendosi, që dosja e grupit me 10 të pandehur Hakmarrja për Drejtësi t’i rikthehej për hetim edhe njëherë prokurorisë, me kërkesë të kësaj të fundit.

Në seancën gjyqësore me dyer të mbyllura ku është verifikuar se Gëzim Gjonaj është personi i akuzuar për veprat e rënda penale morën pjesë dy prokurorët e çështjes Hakmarrja për Drejtësi. Gjoni është i vetmi i arrestuar i këtij grupi që akuzohet për 24 vepra penale./tvklan.al